Këshilli Drejtues i Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës, ka njoftuar se deri më tani asnjë prokuror i Sistemit Prokurorial të Kosovës, duke përfshirë edhe ish-prokurorin Elez Blakaj, nuk ka shprehur asnjë shqetësim, qoftë si kërcënim apo si ndikim në punën e tij të pavarur dhe të paanshme nga kushdoqoftë.
Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, nëpërmjet një komunikate ka thënë se si institucion joqeveritar, e cila ka obligim statutar të mbrojë interesat e prokurorëve të shtetit, konsideron se menaxhmenti i sistemit prokurorial nuk mund të degradohet nga qarqet e caktuara politike, apo individë të caktuar nga shoqëria civile, sepse kjo konsiderohet ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e pavarur të Sistemit Prokurorial dhe tendencë për të dëmtuar hetimet në rastet e caktuara penale.
“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës njofton opinionin publik se deri më tani asnjë prokuror i Sistemit Prokurorial të Kosovës, duke përfshirë dhe Blakaj, nuk ka shprehur asnjë shqetësim, qoftë si kërcënim apo si ndikim në punën e tij të pavarur dhe të paanshme nga kushdoqoftë. Andaj, deklarimet publike për kinse kërcënimet dhe ndikimet brenda Sistemit Prokurorial janë për të mbuluar interesat e tij personale apo të kujdotjetër. Për më tepër, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës zotohet se do të reagojë më fuqishëm, duke kërkuar përgjegjësi nga prokurorët që me veprimet e tyre dëmtojnë imazhin e Sistemit Prokurorial, interesat e qytetarëve dhe institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Shoqata e Prokurorëve të Kosovës mbështet fuqishëm punën e çdo prokurori individualisht dhe organeve menaxhuese të sistemit prokurorial, si dhe dënon çdo tendencë për të denigruar përkushtimin e secilit prokuror në mënyrë individuale dhe kolektive, gjë që është plotësisht e papranueshme dhe nuk i ndihmon zbatimit të Ligjit në Republikës e Kosovës, përcjell Telegrafi