Me 10-13 shtator, Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës, ka qenë pjesmarrës në Bullgari.
Siç njoftohet, ShPDK ka mobilizuar kompanitë kryesore të industrisë së drurit në Kosovë për të marrë pjesë në këtë mision të planifikuar që kishte për qëllim të fuqizonte marrëdhëniet dhe bashkëpunimet ndërmjet bizneseve kosovare dhe atyre bullgare.
Gjatë kësaj vizite, anëtarët e ShPDK-së patën mundësinë të takonin dhe të diskutonin me biznese të ndryshme në Bullgari, kryesisht me anëtarët e Klasterit të Drurit të Bullgarisë.
Kjo përfshiu vizita në ambiente të ndryshme të punës, duke përfshirë fabrikat e metalit dhe metal-drurit, si dhe furnitorë të ndryshëm dhe kompani të tjera që ofrojnë produkte dhe shërbime të llojllojshme.
Vizita ishte një mundësi e shkëlqyer për të njohur nga afër operacionet dhe produktet që ofrohen në treg.
“Fokusi kryesor i kësaj vizite studimore ishte të nxisë dhe të konsolidojë bashkëpunimet mes kompanive të ndryshme, duke promovuar njëkoordinim të shkëlqyer dhe të shpejtë ndërmjet firmave. Kjo synon të hapë rrugë për projekte të përbashkëta dhe konkurruese në skenën ndërkombëtare, duke ndihmuar në ndërtimin e një rrjeti të fortë dhe të qëndrueshëm biznesi”, thuhet në njoftim.
Sipas shoqatës, rrjetëzimet e tilla janë të rëndësishme për të avancuar në treg dhe do të vazhdojnë të organizohen dhe të mbështeten nga SHPDK në të ardhmen.
Ky projekt ka pasur mbështetjen e fortë nga GIZ Kosova, një partner i çmuar në këtë nismë./Telegrafi.