Rritja enorme e numrit të rasteve të prekura me SARS COV 2, që për pasojë ka edhe numrin e lartë të vdekjeve në vend, nuk duhet të tolerohet të vazhdoj më tutje, prandaj, marrja e masave nga ana e Qeverisë nuk është një zgjidhje alternative por obligative.
Kështu thuhet në reagimin e Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve.
“Të vdesin prindërit e gjyshërit tanë të cilët na rritën ne dhe ndërtuan këtë vend, e ne si shoqëri të sillemi sikur nuk po ndodhë asgjë, është jo humane dhe jo etike. Ne e kuptojmë që shëndeti i ekonomisë është më i rrezikuar se asnjëherë tjetër, por pa një shëndet publik edhe ai ekonomik nuk do të na duhet. Gastronomia duhet ta merr pjesën e vet të përgjegjësisë që ka sa i përket shëndetit publik edhe pse i bie barra më e madhe. Por këtë rregull e ka përcaktuar virusi dhe askush tjetër”, thuhet në reagim.
Shoqata e pacientëve ka kërkuar nga SHSKUK që t’i rikthejë shërbimet shëndetësore që janë ndërprerë për pacientë.
“Ndërprerja është zgjidhja më lehtë për ta, por më e vështirë për qytetarët. Ata duhet ta dinë se aty janë për interesin e qytetarëve, jo për të tyre. Ne e kuptojmë se funksionimi normal i këtyre shërbimeve nuk mund të bëhet, por ai duhet të organizohet në atë formë të termineve që nuk e rrezikon as shëndetin e pacientëve, e as të personelit shëndetësor. Shembuj të mirë për këtë janë Klinika e Gjinekologjisë, Neonatologjisë, Onkologjisë etj. Ndërprerja e shërbimeve shëndetësore, në emër të mbrojtjes së shëndetit publik nuk shpie në një logjikë normale”, thuhet ndër të tjera në reagim. /Telegrafi/