Telegrafi

Shoqata e Lojërave të Fatit: Bizneseve po u vështirësohet puna

Shoqata e Lojërave të Fatit, ka shprehur pakënaqësinë me trajtimin institucional ndaj bizneseve të lojërave të fatit, njëherit për të shprehur shqetësimin për tendencën e vazhdueshme të trajtimit jo korrekt dhe në kundërshtim me frymën kushtetuese për një ekonomi të tregut të lirë sidomos me sulmet e vazhdueshme që bëhen në emër të implementimin e Ligjit nr.04/L-080 për Lojërat e Fatit, nxjerrjes së udhëzimeve dhe vendimeve plotësisht në kundërshtim me vetë këtë ligj si dhe me ligjet tjera pozitive të vendit tonë.

“Në mënyrë të vazhdueshme kemi kërkuar rishikim të ligjit për Lojërat të Fatit, organizmit të tyre, taksave të vendosura si dhe trajtimit nga institucionet e shumta, ku jo rrallë herë jemi shndërruar në gjueti shtrigash nga të gjitha nivelet e pushtetit. Kërkesat tona pothuajse plotësisht janë anashkaluar, injoruar dhe të cilat kanë mbetur vetëm tentativë e vullnetit tonë të mirë të berit biznes ku nga të cilat kanë ndodhur edhe devijime ligjore për shkak të rrethanave dhe shumë paqartësive ligjore për të cilat janë përgjegjëse institucionet tona sipas këtij ligji”.

Këto biznese edhe si anëtarë të Odës Ekonomike të Kosovës shqetësimet e tyre i kanë paraqitur në mënyrë të vazhdueshme.

“Gatishmëria jonë si shoqatë është që të respektohen në përpikëmëri të plotë normat ligjore, njëherit të luftohen ato biznese qe bien ndesh me ligjet tona, por jo të anashkalohemi apo edhe të trajtohemi ne mënyrë të njëjtë, pothuajse sikurse te jemi biznese ilegale. Kjo ka ndikuar negativisht në zhvillimin biznesor të anëtarëve të shoqatës, ku shumat e konsiderueshme që participojmë në buxhetin e Republikës se Kosovës nuk merren ne konsideratë dhe as nuk vlerësohen ne mënyrë pozitive për të bërë të menduar se bizneset tona duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë si tatimpagues apo edhe si biznese që në kuadër të aktiviteteve tona kemi të punësuar numër të konsiderueshëm të qytetarëve tanë po ashtu të regjistruar dhe kontribuues në buxhetin e Kosovës”.

Kërkojmë që në afatin më të shkurtër të përgatiten rregullat ligjore të cilat janë në harmoni edhe me praktikat e vendeve më të zhvilluara, të na lejohet të jemi partnerë në konsultimet para hartimit të legjislacionit si dhe të ndërpriten sulmet e vazhdueshme nga të gjitha nivelet institucionale ku po krijohet një klimë mosbesimi, si dhe rritje e informalitetit në kundërshtim me dëshirën dhe vullnetin tonë që si shoqatë te zhvillojmë aktivitetet tona biznesore sipas logjikës së shëndoshë, me një ekonomi të tregut, të hapur gjë të cilën na e garantojnë ligjet dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

“Duke besuar se Qeveria e Republikës së Kosovës si pergjëgjese për zbatimin e ligjeve dhe përkrahjen e politikave zhvillimore do trajtojë me seriozitet dhe konsideratë kërkesat dhe shqetësimet tona”, theksohet në reagimin e Shoqatës së Lojërave të Fatit. /Telegrafi/