Telegrafi

Shoqata e kompanive të sigurimeve i bashkohet aksionit të ndërtimit shtëpive për të pastrehët

Nga mjetet që do të ndajnë këto kompani do të ndërtohen 63 shtëpi ndërkaq përfitues do të jenë rastet e rënda sociale, si dhe familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës.

Projektit të Qeverisë së Kosovës dhe Post Telekomit të Kosovës për ndërtimin e 51 shtëpive iu bashkuan sot edhe kompanitë e sigurimeve.

Tashmë numri i shtëpive që do të ndërtohen është ngritur në 63 sosh, derisa drejtuesit e PTK-së bëjnë thirrje që edhe kompani tjera t’i bashkohen aksionit.

Drejtori ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha tha se tashmë ka filluar identifikimi i rasteve të rënda sociale të cilave do t’u ndërtohen shtëpitë.

Ndërkaq, kryetari i bordit të shoqatës së kompanive të sigurimeve, Visar Rrustemi tha se bashkëpunimi në këtë projekt është bërë me qëllim të ndihmës për qytetarët e Kosovës dhe zbutjen e numrit të të pastrehëve.

Përfitues të kësaj ndihme do të jenë familjet me varfëri të skajshme dhe të pastrehët, si dhe familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës. /rtk/