Shoqata e Gastronomëve të Prishtinës, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar në lidhje me situatën e cila është krijuar në vend nga paraqitja e COVID-19.
Kjo shoqatë ka kërkuar nga politikanët që të veprojnë tani në lidhje me ekonominë dhe tu dalin në ndihmë sektorit privat.
Ata thonë se në parlament kanë parë populizëm e patetizëm, teksa kanë pritur diskutim përmbajtjesor për shpëtimin e ekonomisë.
“Sektori publik vazhdon të gëzoj benefitet e taksave të paguara nga sektori privat. Është paradoksale për besë. Krejt çka dëgjuam në Parlament ishte popullizëm, patetizëm, provincializem, asgjë më shumë, në vend të diskutimeve përmbajtjesore për shpëtimin e ekonomisë. Asnjë politikan nuk i duhet shtetit pa ekonomi dhe pa sektor privat”, thuhet në këtë reagim.
Shoqata e Gastronomëve po ashtu ka thënë se minimumi që kanë pritur nga politika është të ndahen paga për punëtorët e sektorit privat, për këtë kohë sa nuk do të punojnë.
“Minimumi i pritjeve tona është një pagë e dinjitetshme për punëtorët e sektorit privat, për kohën që nuk po punojnë, si pasojë e pandemisë, nga taksat e tyre që ata i paguajnë në buxhetin e vendit. Koha për të vepruar është tani. #savethejobs”, thuhet në shkrimin e tyre. /Telegrafi/