Telegrafi

Shoqata e Gastronomëve iu bën thirrje lokaleve që ta respektojnë ditën e zisë për Madeleine Albright

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka kërkuar nga anëtarët e saj që ngjarjet e parapara për ditën e sotme që potencialisht shkelin ditën e zisë, t’i shtyjnë për një datë tjetër.

“Ju lutemi për mirëkuptimin tuaj sepse mbajtja e eventeve nuk ka kuptim në ditë zie të shpallur nga Presidentja e Republikës së Kosovës. Me respekt e dedikuar ndaj mikeshës dhe heroinës së popullit të Kosovës, znj. Medeline Albright, që dha kontribut të jashtëzakonshëm për gëzimin e lirisë tonë”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ka shpallur të premten ditë zie në nderim të mikës së madhe të Kosovës, Madeleine Albright, ish Sekretares Amerikane të Shtetit.

Madeleine Albright, mikja e madhe e shqiptarëve, ka vdekur të mërkurën në moshën 84-vjeçare.

Lexo po ashtu Sot ditë zie në Kosovë, në nderim të ish sekretares amerikane Madeleine Albright 

Ajo vlerësohet për ndikimin e madh për të bindur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botën për krimet që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe.

Albright ka vizituar tri herë Kosovën, pak muaj pas përfundimit të luftës 1999, më 2005 dhe 2019. Më 2005, mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ndërkohë më 2019, ishte e pranishme në ngritjen e bustit në nderim të saj. /Telegrafi/