Site icon Telegrafi

Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale: Çmimi i unifikuar i barnave në kundërshtim me ligjin, do të ketë mungesë të tyre

Foto: Ilustrim

Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës – SHDPFMK në një reagim për media thekson se në vazhdimësi ka përkrahur procesin e nivelimit të çmimeve të produkteve farmaceutike në territorin e Kosovës në mënyrë që pacientët të kenë çmime të njëjta në çdo farmaci kudo që ata jetojnë, përkundër se Kosova është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka sigurime shëndetësore funksionale që është bazë e patjetërsueshme për rregullimin e çmimeve të shërbimeve mjekësore duke përfshirë edhe çmimet e produkteve farmaceutike.

Megjithatë, SHDPFMK thekson se procedura e përpilimit të kësaj liste është në kundërshtim me vetë Ligjin për Çmime të barnave Nr. 08/L- 220 për faktin se sipas tyre anashkalon procedurat për llogaritjen e çmimeve të përcaktuar në Nenin 8 dhe 9 të këtij Ligji dhe ka përzgjedhur metodologji e cila nuk ka mbështetje në kornizat e këtij Ligji për disa arsye.

“Nuk ka marr për bazë çmimet referente në vendet e regjionit (Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kroacia. Është bazuar në krahasime të paqëndrueshme duke mos konsideruar karakteristikat e tregut të Kosovës si vend pa sigurime shëndetësore dhe pa sistem të rimbursimit të barnave.

Ka marr për bazë të llogaritjes çmimet CIP (çmimin e importit) të barnave në vitin 2022 e më herët duke anashkaluar rritjet e shumta të çmimeve që kanë ndodhur jo vetëm për barna por të gjitha produktet e konsumimit dhe inflacionin e lartë. Ky modalitet i llogaritjes së çmimeve nuk specifikohet në Ligjin përkatës dhe në asnjë nen nuk specifikohet se viti 2022 merret si vit referent”, thuhet tutje.

Lexo po ashtu Vendimi për çmimet e unifikuara të barnave shkakton pakënaqësi, Bytyqi: Farmacistëve do t’u shkaktohen humbje të mëdha

Më tej, kjo shoqatë thekson se nuk është marr në konsideratë pagesa e shërbimit profesional të farmacistit, duke konsideruar tregtimin e barnave jo si shërbim profesional por si treg i konsumimit të përgjithshëm.

“Ka përcaktuar marzhën prej 7.5% për distributorë sqaruar asnjëherë se cila është referenca për këtë nivel marzhe, përderisa në vendet në regjion (që është dashur të merren si referencë sipas Nenit 8 të ligjit) sillet prej 11-13%.

Fakti se procesi i propozimit dhe aprovimit të Ligjit për çmime të barnave është zhvilluar pa u konsideruar asnjëherë kërkesat dhe ankesat e farmacistëve dhe shoqatave të tyre dhe duke mos aprovuar shumicën e ankesave që kanë deponuar shumica e kompanive farmaceutike në MSH, tregon më së miri se Ligji në fjale i zbatuar në këtë formë të përsëritshme dhe tekanjoze është në kundërshtim të plotë me interesat e përgjithshme të sektorit farmaceutik në Kosovë”, thuhet tutje.

Kjo këmbëngulësi e strukturave të MSH për zbatimin e këtij Ligji me përmbajtje kontradiktore do të rrezikojë të ardhmen e gjithë komunitetit farmaceutik në Kosovë, do të rrezikojë furnizimin e rregullt, të mjaftueshëm dhe cilësor të barnave për popullatën e Kosovës.

Me listën e çmimeve të publikuara nga MSH do goditet aspekti profesional i farmacistit dhe do t’u shkaktohen humbje të mëdha financiare të gjitha institucioneve farmaceutike që nga importuesit dhe distributorët e barnave e deri të farmacitë komunitare pa përjashtuar edhe furnizimet në sektorin publik me produkte cilësore.

Të gjitha këto veprime do të rrezikojnë ekzistencën e këtyre institucioneve farmaceutike veprimtaria e të cilave është edhe ashtu e vështirësuar për shkak të rritjes globale të çmimeve furnizuese sidomos pas krizave të pandemisë dhe luftërave”, thuhet tutje.

Po ashtu, sipas tyre, mungesa e barnave do të vjen pasi që shumica e kompanive nuk mund të operojnë me këto çmime sepse do të punojnë me humbje të mëdha, ndërsa tregu do të lirohet për barna të cilat do të jenë më të shtrenjta dhe do të mbesin monopol në treg, duke mos përjashtuar produktet me origjinë të dyshuar.

“Andaj kushdo që është pro implementimit të këtillë të Ligjit në fakt është i interesuar që në emër të uljes së çmimeve të barnave të mbyll shumë kompani farmaceutike e barnatore, të largoj zyrat e kompanive të huaja farmaceutike, të dëmtoj furnizimin e rregullt me barna dhe të hap rrugë për monopolizim të tregut dhe ngritje të çmimit të barnave”, thuhet ndër të tjera. /Telegrafi/

Exit mobile version