Shoqata bamirëse humanitare “Bereqeti” në Prishtinë, e cila funksionon në kuadër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, ka shpërndarë sot 250 pako me gjëra ushqimore për familjet të cilat jetojnë në kushte të rënda ekonomike.
Shpërndarja e këtyre ndihmave u bë në xhaminë “Pavarësia”, në Prishtinë. Imami i kësaj xhamie, njëherësh koordinatori i kësaj shoqate për Prishtinë, Nexhmi Hoxha, deklaroi se këto ndihma janë nga një donator vendor, më konkretisht firma “Maqani”, transmeton Telegrafi.
Imami deklaroi se shoqata “Bereqeti”, sikurse edhe vitet tjera edhe në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit do të iu qëndrojë afër familjeve të cilat kanë nevojë.
“Është firma “Maqani” ajo e cila do të dhurojë 500 pako me ndihma. Fillimisht do të shpërndahen 250, ndërsa gjatë javëve në vazhdim edhe 250 të tjera. Edhe gjatë ditës së djeshme nga bashkatdhetarët tanë janë shpërndarë 100 pako. I falënderojmë të gjithë kontribuuesit, duke lutur Allahun xh.sh. që t’ua shtojë të mirat në këtë botë, e në botën tjetër t’i shpërblejë me xhenet,” deklaroi imami Hoxha./Telegrafi/