Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi janë përplasur në seancën e sotme të Kuvendit lidhur me çështjen e kriptovalutave.
Teksa foli për ndihmat sociale që Qeveria ka ndarë për qytetarët, Murati tha se nuk mund të mbështesin edhe humbjet në kriptovaluta.
“Ajo që mund të them dhe të garantoj është se nuk do të mbështesim humbjet në kriptovaluta. Nëse dikujt i është vështirësuar gjendja financiare se ka rënie të kriptovalutave, nuk mund ta kompensojmë atë. Më vjen keq”, u shpreh ai para deputetëve, raporton Telegrafi.
Pas ministrit, fjalën e mori Krasniqi i cili në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka të deklaruar edhe disa kriptovaluta në vlerë mijëra euro.
I pari i PDK-së tha se edhe ministri ka kriptovaluta, por nuk i ka deklaruar asnjëherë.
“Çudia nuk është kur politikanët e deputetët e ngrisin zërin për krizën me të cilën ballafaqohen qytetarët. Çudia dhe turpi është kur qeveria fle përball kësaj krize. E turpi më i madh është ministri Hekuran Murati. Ti po flet për ndihmat ndaj qytetarëve. U keni dhënë lëmoshë njerëzve pa asnjë plan. Ju jeni qeveri e milionerëve. S’keni dashur as t’i takoni e ndihmoni sindikatat”.
“Sa për kriptovalutat, unë jam ekspert. I kam deklaruar gjithmonë, pse nuk i deklaron ti tuat? Krejt shokët e tu tregojnë që ke kriptovaluta. Trego sa i ke?”, tha mes tjerash Krasniqi. /Telegrafi/