Telegrafi

Shoferi u qëllua për vdekje pasi “përplasi” makinën në konsullatën kineze në San Francisko – pamjet tregojnë kaosin e krijuar

Një person që “përplasi” një automjet në konsullatën kineze në San Francisko të hënën u qëllua dhe u vra pasi u përball me policinë, kanë thënë autoritetet.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, personi në fjalë ka qenë duke vozitur dhe u përplas në zonën e hollit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës Popullore të Kinës, e cila trajton vizat, sipas Kathryn Winters, një zëdhënëse e Departamentit të Policisë së San Franciskos.

Policia u përgjigj brenda disa minutave nga aksidenti dhe u përball me shoferin në holl, duke qëlluar personin, tha Winters.

Shoferi u dërgua në një spital lokal ku u shpall i vdekur.

Është e paqartë se sa njerëz ishin brenda konsullatës kur ndodhi incidenti, por Winters tha se askush tjetër nuk dukej të ishte lënduar.

Në një konferencë shtypi të hënën në mbrëmje, Winters nuk pranoi të thoshte pse policia hapi zjarr ose nëse personi i vrarë ishte i armatosur.

Winters gjithashtu nuk tha nëse përplasja ishte e qëllimshme apo nuk dha ndonjë informacion tjetër për personin apo incidentin.

Një zëdhënës i Konsullatës së Përgjithshme të Kinës në San Francisko lëshoi një deklaratë duke thënë se përplasja shkaktoi “dëmtime serioze” në ndërtesë dhe i vendosi njerëzit në “kërcënim serioz”.

Deklarata shtoi se konsullata “dënon fuqishëm” incidentin dhe bëri thirrje që një hetim “të kryhet me shpejtësi dhe të trajtohet seriozisht në përputhje me ligjin”. /Telegrafi/