Telegrafi

Shoferi dyshohet se qëllimisht ra me veturën e tij – ku ishin edhe tre të tjerë – nga rreth 80 metra lartësi, në një zonë bregdetare të San Franciskos

Një burrë që lëndoi veten dhe tre të tjerë, duke përfshirë dy fëmijë, pasi “u hodh” me veturën Tesla të tij në një terren shkëmbor, bregdetar, në Kaliforni të hënën, tani po përballet me akuza të shumta pasi autoritetet thanë se rënia ishte e qëllimshme.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, patrulla e autostradës së Kalifornisë në San Francisko tha se Dharmesh A. Patel, nga Pasadena, u arrestua për tentativë vrasjeje dhe abuzim të fëmijëve të martën.

Kjo pasi që, pas bisedës me dëshmitarët dhe mbledhjes së provave në vendngjarje, hetuesit besojnë se “ky incident ishte një akt i qëllimshëm”.

Më herët të martën, zyrtari Mark Andrew tha se hetuesit nuk besonin se Tesla po funksiononte në modalitetin autopilot ose në modalitetin e plotë të vetëdrejtimit në atë kohë.

Kështu, autoritetet i bënë jehonë kësaj deklarate në Facebook më vonë gjatë ditës dhe shtuan se mënyra e drejtimit të makinës “nuk duket të jetë një faktor kontribues” në aksident.

Oficerët e Patrullës së Autostradës së Kalifornisë iu përgjigjën incidentit të hënën rreth orës 10:50 pas raportimeve se një makinë ra atje.

Në vendngjarje, reaguesit e parë panë një Tesla të bardhë afërsisht 80 metra poshtë.

Agjenci të shumta u përgjigjën në vendngjarje për të shpëtuar pasagjerët pasi vunë re lëvizje nga makina.

Në këtë drejtim, një tjetër shpëtimtar ra me litar nga një helikopter për të ndihmuar në nxjerrjen dhe shpëtimin mes kushteve me shi dhe erë. /Telegrafi/