Sot para Gjykatës së Tiranës, dolën tre të arrestuarit për aksidentin tragjik që i mori jetën katër të rinjve, Enejd Laçi dhe tre pasagjerëve në mjetin e tij, Erild Laçi, 20 vjeç, Enrikejd Kurti, 24 vjeç, dhe Andi Laçi, 22 vjeç.
Gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për shoferin e betonieres, Aleksandër Krrashi, i cili akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, drejtim të mjetit në mënyrë të parregullt dhe largim nga vendi i aksidentit.
Krrashi, i cili nuk ishte i pajisur me leje drejtimi për betoniere, kishte ndaluar në rrugë pa ndezur bllokazhin.
Po ashtu, masën “arrest në burg” e mori edhe Valentin Krrashi, kushëriri 24-vjeçar i shoferit, i cili akuzohet për ndihmën që i ka dhënë Aleksandër Krrashit për t’u larguar nga vendi i aksidentit, duke u akuzuar për “përkrahje të autorit të krimit.”
Ndërkohë, menaxheri i firmës për prodhimin e betonit, Danjel Koxha, u lirua nga qelia me masën “detyrim paraqitje”.
Verifikimet treguan se Koxha nuk kishte marrë masat për pajisjen e betonieres me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar një drejtues mjeti pa leje për këtë kategori mjetesh. /euronews.al/