Telegrafi

Shoferët e transportit publik në punë deri në moshën 70 vjeçare, propozohen ndryshime në Kodin Rrugor të Shqipërisë

Personat deri në moshën 70-vjeçare do mund të drejtojnë autobusë, kamion dhe çdo mjet tjetër për transport njerëzish dhe mallrash.

Ky është propozimi i grupit parlamentar socialist të depozituar në kuvend së fundmi.

Propozimi parashikon ndryshime ligjore përmes disa amendamenteve duke kërkuar rritjen e kufirit të moshës me 5 vjet për drejtimin e mjeteve për transportin publik.

Kushti i vetëm për drejtuesit është paraqitja e një dëshmie të veçantë për kërkesat fizike dhe psikike.

Aktualisht, në kodin rrugor shoferët lejohen të drejtojnë mjete të transportit publikë deri në moshën 65 vjeç. Kjo pikë kërkohet që të shfuqizohet.

Po ashtu, kërkohen ndryshime për shoferët e rinj. Brenda 3 viteve pas marrjes së lejes së drejtimit A dhe B nuk duhet të lejohet tejkalimi i shpejtësisë prej 80 km/orë në autostrada dhe 70 km/orë në rrugët interurbane kryesore.

Ndryshimet e depozituara pritet të shqyrtohen në komisionet parlamentare. /Euronews Albania/