A do të sjellë kriza e koronavirusit fundin e tregut liberal dhe globalizimit dhe shfaqjen e një modeli të ri zhvillimi, më të drejtë dhe më të qëndrueshëm? Është e mundur, por asgjë nuk vjen vet. Në këtë fazë, urgjenca absolute është kujdesi për të goditurit nga kriza aktuale shëndetësore, dhe të bëhet gjithçka për të shmangur më të keqen, domethënë një masakër masive.
Duhet të mbajmë parasysh modelet epidemiologjike. Pa ndërhyrje, Covid-19 mund të kishte shkaktuar vdekjen e rreth 40 milionë njerëzve në të gjithë botën, përfshirë 400 mijë në Francë, ose rreth 0.6 për qind të popullsisë (mbi shtatë miliardë njerëz) botërore. Kjo pothuajse korrespondon me një vit shtesë të vdekshmërisë (550 mijë vdekje në vit në Francë dhe 55 milionë në të gjithë botën). Në praktikë, kjo do të thotë që për rajonet më të prekur në muajt më të errët, numri i arkivoleve të nevojshëm të jetë 5-10 herë më shumë se zakonisht (që fatkeqësisht u pa në disa zona në Itali).
Pavarësisht pasigurive të shumta të parashikimeve, ishin këto paralajmërime që i bindën qeveritë se ky nuk ishte thjesht një grip, dhe se njerëzit duhej të kufizoheshin urgjentisht. Padyshim që askush nuk e di shumë mirë se sa do të shkojnë humbjet njerëzore të cilat prej ditësh e kanë kaluar shifrën 100 mijë vdekje në të gjithë botën. Epidemiologët shpresojnë që bilanci përfundimtar të ndalet në 10 ose 20 për qind në krahasim me parashikimet fillestare, por paqartësitë janë të konsiderueshme. Sipas një raporti të lëshuar nga Imperial College më 27 mars, vetëm një politikë masive testimi dhe izolimi e të infektuarve i zvogëlon ndjeshëm viktimat. Me fjalë të tjera, përmbajtja e pandemisë nuk do të jetë e mjaftueshme për të shmangur të keqen.
I vetmi precedent historik, me të cilin mund të bëjmë krahasime është gripit spanjoll i 1918-1920, për të cilin tashmë e dimë se nuk ishte thjeshtë spanjoll dhe që shkaktoi gati 50 milionë të vdekur në botë (rreth dy për qind e popullsisë së botës në atë kohë).
Duke shfrytëzuar të dhënat e gjendjes civile, studiuesit kanë zbuluar se kjo vdekshmëri mesatare fsheh pabarazi të mëdha: midis 0.5 për qind dhe një për qind në ShBA, kundrejt tre për qind në Indonezi dhe Afrikën e Jugut, dhe më shumë pesë për qind në Indi. Kjo është ajo që duhet të na shqetësojë: epidemia mund të arrijë lartësi të reja në vendet e varfra, sistemet shëndetësore të të cilave nuk janë në gjendje ta përballojnë tronditjen, veçanërisht pasi ato kanë vuajtur politikat e shtrëngimit të imponuara nga ideologjia mbizotëruese e dekadave të fundit.
Në mungesë të të ardhurave minimale, njerëzit më të varfër shpejt do të duhet të dalin përsëri në kërkim të punës, e cila rihap epideminë. Në Indi, mbyllja ka konsistuar kryesisht në bllokimin e njerëzve nga zonat rurale dhe bllokimin e zonave urbane, gjë që ka ndaluar dhunshëm çdo komunikim. Por, për të shmangur urinë, kemi nevojë për shtetin e mirëqenies dhe jo atë të burgut.
Për rastet më urgjente, shpenzimet thelbësore sociale (shëndetësia dhe të ardhurat minimale) mund të financohen vetëm me huadhënie. Në Afrikën Perëndimore është një mundësi për të rishikuar monedhën e re të përbashkët dhe për ta vënë atë në shërbim të një projekti zhvillimi të bazuar në investime për rininë dhe infrastrukturën (dhe jo në shërbim të rritjes së kapitalit të më të pasurve). Të gjitha duhet të bazohen në një arkitekturë demokratike dhe parlamentare më të suksesshme sesa pamundësia që është akoma në fuqi në zonën e euros (ku mbledhjet e ministrave të financave pas dyerve të mbyllura, kanë të njëjtën paefektshmëri si në kohën e krizës financiare).
Shumë shpejt, ky shtet i ri i mirëqenies do të kërkojë një taksim të drejtë dhe një regjistër financiar ndërkombëtar, në mënyrë që të jetë në gjendje të taksojë kompanitë më të pasura dhe të mëdha aq sa është e nevojshme. Regjimi aktual i lëvizjes së lirë të kapitalit, i vendosur në vitet 1980 dhe 1990 nën ndikimin e vendeve të pasura (dhe veçanërisht Evropës), promovoi de facto shtimin e miliarderëve dhe shumëkombësheve në të gjithë botën. Ai bllokoi administratat e brishta të taksave në vendet e varfra të krijonin një taksim të drejtë dhe të ligjshëm, duke dëmtuar seriozisht ndërtimin e shtetit.
Kjo krizë mund të jetë gjithashtu një mundësi për të menduar për një kuotë minimale shëndetësore dhe arsimore për të gjithë banorët e planetit, të financuara nga e drejta universale e të gjitha vendeve, në bazë të faturave tatimore të paguara nga aktorët më të mëdhenj ekonomikë: biznese e mëdha, familjet me të ardhura dhe pasuri të larta (për shembull më shumë se 10 herë mbi mesataren botërore, d.m.th një për qind më të pasurve të botës).
Mbi të gjitha, ky prosperitet bazohet në një sistem ekonomik global (që është ngritur mbi shfrytëzimin e pakufizuar të burimeve natyrore të globit dhe atyre njerëzore për disa shekuj). Prandaj, kërkon rregullim global për të siguruar qëndrueshmërinë e tij sociale dhe ekologjike, veçanërisht me zbatimin e një marrëveshje mjedisore që bën të mundur ndalimin e emetimeve më të larta të karbonit.
Një transformim i tillë do të kërkojë shumë sfida. Për shembull, si fillim a janë gati Macron dhe Trump për të anuluar përfitimet nga taksat e më të pasurve gjatë këtij mandati të tyre? Përgjigja do të varet më shumë nga mobilizimi i kundërshtarëve sesa nga dëshira e tyre. Duhet të jemi të sigurtë për një gjë: trazirat e mëdha politike dhe ideologjike ende nuk kanë filluar. /Burimi: Le Monde/Në shqip nga: Mapo.al/