Dr. Suzana Zhuka
Këto të fundit, nëse nuk marrin trajtimin e duhur në kohë, mund të mbartin pasoja të rënda për shëndetin e popullatës, sepse në pjesën më të madhe të rasteve këto infeksione janë ngjitëse dhe mund të përhapen lehtësisht.
Me fillimin e sezonit të verës fillojnë dhe problemet e infeksioneve në sy, që janë më të theksuara në këtë periudhë e që shfaqen zakonisht tek të gjitha grup-moshat, që te fëmijët e vegjël e deri tek të rriturit. Këto infeksione i përkasin cipës së bardhë të syrit, që mbështjell kokërdhokun e syrit, dhe mund të sjellin pasoja të rënda, nëse nuk marrin trajtimin e duhur në kohën e duhur. Infeksionet në sy shfaqen gjatë gjithë vitit, por në këtë periudhë janë më të specifikuara. Në gjuhën mjekësore ato njihen ndryshe si konjitivite sezonale të verës, si dhe mbartin shenja specifike.
Simptomat janë nga më të ndryshmet, kjo varet nga veçoritë individuale të secilit. Në shumë raste pacientët vijnë pranë qendrave shëndetësore me ankesën se kanë djegie të syrit, skuqje dhe fryrje të organit të shikimit. Njëkohësisht karakteristike është dhe lotimi i vazhdueshëm i syrit. Gjithashtu ka dhe raste kur pacienti nuk duron dot dritën, që në gjuhën mjekësore quhet fotofobi. Një pjesë tjetër kanë ndjesinë e trupave të huaj në sy. Për situatat kur infeksionet kanë natyrë bakteriale, mund të shoqërohen dhe me sekrecione, të cilat fillojnë që në orët e para të mëngjesit. Megjithatë, duhet thënë se një konjitivit shumë i përhapur është ai që shkaktohet në periudhën e verës dhe që vjen nga pishinat. Edhe në këtë rast infeksioni prek cipën e bardhë të syrit si pasojë e papastërtive të pishinave. Këto të fundit, duke mos pasur kushtet e duhura higjienosanitare, ndonëse shpesh bëhet klorinomi i tyre, vijojnë të kenë probleme, pasi në të njëjtin ujë futen si fëmijët, ashtu dhe të rriturit, duke shfaqur papastërti të shumta, që ndikojnë në infeksionet e syrit.
Për konjitivitin e shkaktuar prej pishinave ka trajtim dhe mjekim specifik. Duke ndjekur një listë të caktuar këshillash të duhura mund të eliminohet brenda një kohe të shkurtër e pa probleme. Një ndër këshillat kryesore që duhet mbajtur parasysh është në ujin e pishinave të zonës së syve, pra të mbahet koka jashtë ujit, në mënyrë që ndotja të mos shkojë në pjesën delikate të lëkurës si dhe të syve. Kjo pasi lëkura e trupit është më rezistente ndaj mikrobeve, ndërsa koka dhe veçanërisht sytë janë pjesë më delikate.
Kohët e fundit kemi hasur shumë raste kur vetë pacientët, sapo shfaqen problemet e para u drejtohen farmacive për të marrë trajtimin përkatës pa kaluar më parë te mjeku. Pjesa dërrmuese e pacientëve bëjnë më parë provën e farmacive, duke marrë qetësuesit për infeksionet e syrit, por që realisht nuk japin efektet e duhura dhe në jo pak raste pacientët kanë ardhur në gjendje të rënduar për bërjen e vizitës. Kjo pasi përdorimi i këtyre ilaçeve nuk ka sjellë përmirësimin e shëndetit të tyre. Aktualisht manifestohen lloje të ndryshme konjitivitesh, që kanë dhe trajtime specifike. Farmacistët, duke mos ditur kategorinë e infeksionit, mund të japin ilaçe të cilat nuk japin efektet e duhura në përmirësimin e tyre, madje mund t’i përkeqësojnë edhe më shumë. Kështu që është e këshillueshme që fillimisht të përcaktohet saktë diagnoza e sëmundjes dhe më pas të merren ilaçet, të cilat do të japin dhe efektet e duhura shëndetësore.
Pacientët që paraqiten që në fazën e shfaqjes së infeksionit shërohen shumë shpejt pas trajtimit që u jepet. Ndërkohë që, nëse lihet të kalojë kohë që nga shfaqja e infeksionit, ky i fundit nga cipa e bardhë e syrit mund të kalojë në shtresa më të thella dhe të dëmtojë pjesët kryesore të organit të shikimit. Infeksioni në këtë mënyrë nga cipa e bardhë e syrit kalon në shtresën tjetër që është korneja, që cilësohet si sëmundje e keratit dhe mund të dëmtojë shikimin. Problemet duhen mjekuar që në fazën e parë, duke qenë se nuk kanë ndonjë komplikacion dhe mund të kalojnë shumë shpejt, po të marrin trajtimin e duhur. Ndërsa në rastet kur pacientët vijnë të rënduar, pra kur është prekur xhami i syrit, atëherë kërkojnë trajtime të gjata dhe janë problematike, pasi mund të dëmtojnë shikimin.
Rekomandimet për mbrojtjen e fëmijëve
Kujdes i veçantë gjatë këtij sezoni duhet treguar ndaj moshave të vogla, që janë dhe më të ndjeshme ndaj këtyre problemeve. Ndaj prindërit duhet të bëjnë kujdes me dërgimin e tyre në pishina apo në breg të detit. Është shumë e rëndësishme që të krijohet higjiena e duhur personale ndaj fëmijëve, e cila mund të shërbejë si kura parandaluese e shfaqjes së infeksioneve të syrit. Kështu, fëmijët duhet të kenë peshqirët e tyre personal si dhe nuk duhet të përdorin të njëjtat pajisje me pjesën tjetër të familjes, pasi rrezikojnë dhe këtë të fundit që t’ia ngjitin infeksioni. Njëkohësisht duhet që, kur të lahen, të mos zhytin kokën në ujë. Kujdes duhet treguar dhe në lënien e tyre në breg të detit, që është dhe zona më e ndotur për shkak të frekuentimit masiv. Përveç këtyre infeksioneve me natyrë bakteriale gjatë kësaj periudhe shfaqen dhe konjitivitet virale, të cilat kanë natyre virale dhe, si të tilla, kanë tjetër mjekim specifik për t’i trajtuar. Nuk përdoren antibiotikë në këtë rast. Ndërkohë që jepen këshilla që kanë të bëjnë me parandalimin dhe përhapjen e mëtejshme të tyre, duke qenë se janë të natyrës ngjitëse. Një ndër këshillat kryesore në këtë rast është mospërdorimi i peshqirëve të njëjtë me pacientin e prekur nga ky lloj infeksioni, pasi mund të rrezikohet dhe pjesa tjetër e familjes.
Manifestimi
Në shumë raste pacientët vijnë pranë qendrave shëndetësore me ankesën se kanë djegie të syrit, skuqje dhe fryrje të organit të shikimit. Njëkohësisht karakteristike është dhe lotimi i vazhdueshëm që shfaqet te këta persona. Gjithashtu ka dhe raste të tjera, kur pacienti nuk duron dot dritën, që në gjuhën mjekësore quhet fotofobi. Një pjesë tjetër kanë ndjesinë e trupave të huaj në sy. Për situatat kur infeksionet kanë natyrë bakteriale, mund të shoqërohen dhe me sekrecione, të cilat fillojnë që në orët e para të mëngjesit.
Mbajtja e syzeve
Personat që janë të prekur prej infeksioneve të syrit, të çfarëdo forme qofshin ato, duhet të tregojnë kujdes ndaj rrezatimit. Kjo pasi gjendja e tyre mund të rëndohet edhe më shumë dhe të shfaqen komplikacione të rënda. Për këtë kategori këshillohet mbajtja e syze, si një domosdoshmëri për mbrojtjen nga rrezet ultraviolet të diellit, rreze të cilat janë super të dëmshme, ndaj duhet siguruar mbajtja e syzeve mbrojtëse UV, me faktor mbrojtës 100. Këto rreze mund të bëhen shumë të dëmshme, duke qenë se ndihmohen dhe nga shtresa e hollë e ozonit. /Telegrafi/