Konsumimi i alkoolit vetëm sa i keqëson simptomat e sindromës paramenstruale, thotë një studim i ri.
Hulumtuesit kanë analizuar gjithsej 19 studime me më shumë se 47,000 pjesëmarrëse para se të konstatonin që konsumimi i alkoolit është i lidhur ngushtë me një keqësim të simptomave paramenstruale, transmeton Telegrafi.
Në fakt, ata thonë se ato të cilat konsumojnë alkool janë 45% më të prira të përjetojnë simptoma si gjokse të ndjeshme, luhatje në disponim, lodhje dhe uri më të madhe para menstruacioneve sesa ato të cilat nuk konsumojnë fare alkool.
“Bazuar në statistikat dhe rezultatet tona, ne vlerësojmë se 11% e të gjitha rasteve me sindromë paramenstruale mund të jenë të ndërlidhura me konsumim të alkoolit”, kanë shkruar hulumtuesit.
Vlerësohet se 6 në 10 femra në Evropë janë konsumuese të alkoolit dhe 12.6 për qind prej tyre klasifikohen si konsumuese të mëdha të alkoolit.
Vlen të ceket se edhe studimet e mëhershme e kanë ndërlidhur konsumimin e alkoolit me simptomat e sindromës paramenstruale. /Telegrafi/