Punimet për rrugën e bypass-it të Vlorës kanë përfunduar dhe aksi është hapur për qarkullimin e automjeteve që udhëtojnë në drejtim të jugut të Shqipërisë.
Segmenti panoramik, me gjatësi 29 kilometra, përshkohet për 30 minuta, duke shmangur trafikun e rënduar në qytetin e Vlorës që shkaktohej nga fluksi i turistëve.
I pranishëm për inaugurimin e rrugës ishte dhe kryeministri Rama, i cili vlerësoi realizimin e kësaj vepre komplekse.
“Miqtë amerikanë nuk e besonin që ishte një vepër që i përkiste Shqipërisë, nuk i besohej, se është shumë komplekse”, tha Rama.
Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, shpjegoi se ndërtimi i veprës nuk ishte i lehtë nga ana inxhinierike.
Drejtori i ARRSH-së vlerësoi sigurinë e rrugës, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të zbatojnë sinjalistikën.
“Në këtë një vit nuk është bërë asnjë aksident. Me vendosjen e sinjalistikës përfundimtare, nuk ka asnjë rrezik. Është rrugë e re që të fton të ecësh, ndaj qytetarët të zbatojnë sinjalistikën”, tha Evis Berberi.
Bypassi do të pasohet nga investimet e tjera nënë proces, aksi Orikum – Dukat dhe tuneli i Llogarasë, që do të shkurtojnë ndjeshëm daljen në bregdetin e jugut. /Telegrafi.