Site icon Telegrafi

Shmangeni gjuhën e urrejtjes ndaj njëri-tjetrit

Arben Malaj

Mesazhi publik i shkrimtarit Ismail Kadare është një apel publik që meriton mirënjohjen e gjithë shqiptarëve. Fatkeqësisht ndodhemi në një moment kritik ku përbaltosja, gjuha e urrejtjes, shpifjes, agresiviteti partiak dhe banaliteti në Parlament, në median e shkruar, vizive dhe rrjetet sociale, e ka bërë më të vështirë jetën e përditshme. Ky fenomen negativ ushqen ndasitë politike, krahinore, kulturore; ushqen zhgënjimin e publikut ndaj institucioneve, dëmton misionin e medias dhe e bënë të vështirë të ardhmen tonë evropiane.

Fushata politike apo mediatike për të akuzuar dhe sulmuar çdo diplomat apo përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, thjeshtë dhe vetëm për interesa të ngushta partiake apo personale, dëmton vlerën e mirënjohjes së shqiptarëve ndaj kujtdo që ka kontribuuar sadopak në sfidat e vështira të vendit tonë i cili aktualisht është vend anëtar i NATO-s dhe shumë pranë çeljes së negociatave për vend anëtar i BE-së.

Kur ne nuk respektojmë veten duke mos mbrojtur dhe promovuar vlerat tona më të mira, është shumë e vështirë që të na duan, respektojnë dhe mbështesin të tjerët. Kultura e shpifjes dhe agresivitetit duhet të zhduket, ndërsa kultura e besimit, bashkëpunimit dhe mirënjohjes duhet të jetë pjesë e jetës sonë të përditshme, shoqërore e politike.

Dy ditë më parë kam pritur disa të rinj që po sjellin në Shqipëri një lëvizje evropiane NO HATE SPEECH.

Kjo iniciativë duhet kthyer në një lëvizje të solidaritetit kombëtar për ta kthyer jo vetëm në një iniciativë ligjore, por sidomos në grupimin shoqëror më të madh në Shqipëri. Duhet të jetë grupimi më i madh se çdo parti apo koalicion politik, sepse realisht shqiptarët që e duan vendin e tyre të përparojë çdo ditë, që duan një politikë konkurruese mbi alternativa dhe projekte dhe jo mbi akuza të ndërsjella, e të pafundme…!

Presidenti, kryetari i Kuvendit, kryeministri, deputetët, ministrat, liderët politikë të çdo partie, kryeredaktorët e medieve, shoqatat e gazetarëve dhe individë me impakt publik duhet të jenë të parët që duhet të ndalojnë fjalimet, diskutimet dhe analizat e tyre publike që bazohen tek agresiviteti partiak, tek përbaltosja, tek urrejtja, tek përçmimi dhe cinizmi.

Exit mobile version