Qeveria me propozim – rebalancin e Buxhetit për këtë vit, për mbi 400 milionë denarë e zvogëloi buxhetin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, që me këtë e ngriti çështjen se këtë vit a do të mbahen zgjedhjet.
Në fillim të këtij viti, kur deputetët e miratuan Buxhetin, për KSHZ-në, u parapa 531.375.000 denarë, ndërkaq me propozim – rebalancin, për të cilin deputetët duhet të votojnë vitin e ardhshëm në Kuvend, kjo shumë shkurtohet dhe KSHZ-së i ngelet buxheti prej 103.875.000 denarë.
Nëse krahasohen buxhetet e viteve tjera kur janë mbajtur zgjedhje, sivjet KSHZ ka më së paku mjete.
Në vitin 2013 kur u mbajtën zgjedhjet lokale, buxheti i KSHZ-së ishte mbi 196 milionë denarë, ndërkaq aq ngeli edhe pas rebalancit, transmeton Portalb.
Në vitin 2014 kur u mbajtën zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, buxheti i KSHZ-së ishte thuajse 303 milionë denarë, ndërkaq me rebalancin e buxhetit u rrit në thuajse 304 milionë denarë.
Pse është zvogëluar buxheti i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, kemi pyetur në Ministrinë e Financave, megjithatë deri më tani nuk ka përgjigje./Telegrafi/