Luna Parku për më shumë se një dekadë mbetet ëndërr për qytetarët e Shkupit. Ata thonë se është turp për autoritetet që në kryeqytet fëmijët të mos kenë ku të zbaviten. Kujtojnë me nostalgji kohën kur ky park ishte funksional. Apelojnë tek Qyteti i Shkupit që ndërtimet e filluara para tetë viteve të përfundojnë sa më shpejtë.
“Është turp, metropol, të gjithë u mblodhëm në një qytet, a fëmijët nuk kanë vend ku të lozin, ndërsa për gjithçka tjetër ka para… Kishte rrotë panoramike të vogël, do të ishte mirë që të ketë përsëri pse jo. Kishte disa kërpudha të plastikës me ngjyra pasteli, këtë e mbaj mend nga Luna Parku si dhe një tren që qarkullonte”, tha një qytetar.
“Mendoj se kjo duhet të ndërtohet urgjentisht, fëmijët mbetën pa lozur, shoh shumë fëmijë nëpër park, shëtisin, kanë edhe dëshirë, kam mbesë e cila është dy vite e gjysmë dhe pyet se kur do të bëhet Luna Parku. Andaj mendoj se duhet të bëhet sa më shpejtë aq më mirë, bëj apel deri tek faktorët e qytetit që këtë ta shpejtojnë sa më shpejtë”, shtoi një tjetër.
“Më kujtohet kur isha fëmijë shkoja me prindërit e mijë dhe patjetër ta theksoj se më mungon. Dua të potencoj që të bëhet përpjekje që të ndërtohet sa më shpejtë, të kemi më sa më shumë buzëqeshje jo vetëm të fëmijëve të vegjël, por edhe të tinejxherëve dhe të rriturve”, u shpreh një qytetare.
Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska thotë se punimet nuk kanë vazhduar pasi nuk ka pasur projekt final nga udhëheqësit paraprak. Shton se pas revizionit i kanë përfunduar të gjitha procedurat, por nuk jep afat për përfundimin e ndërtimeve.
“…fillimisht nis procedura për sigurimin e numrit të rekuizitave, ndërsa në terren do të fillojë me pastrimin e terrenit dhe vendosjen e postamenteve dhe ndërtimin e gjithë asaj që si infrastrukturë duhet të sigurohet para montimit të rekuizitave”, tha Danella Arsovska, Kryetare e Qytetit të Shkupit.
Ish-kryetarja e Këshillit në Qytetin e Shkupit dhe aktualisht këshilltare e LSDM-së në këshill Lubica Jançeva, i kundërpërgjigjet Arsovskës duke thënë se projekt për ndërtimin e Luna Parut ekziston prej shtatë viteve më parë dhe ai është korrigjuar me vendim të këshillit në vitin 2019 me një strategji të bërë si donacion nga një kompani italiane.
“Këshilli e shqyrtoi atë iniciativë dhe pranoi strategjinë-donacion të punuar nga një studio arkitektonike nga Italia dhe vlera e asaj strategjie si donacion ishte rreth 2 milionë e 800 mijë denarë. Dhe sipas asaj strategjie projekti vazhdoi. Flasim për vitin 2019. Projekti vazhdoi deri në momentin kur nuk ndodhi ajo askush nuk e dëshironte, Covid kriza… në vitin 2021 projekti vazhdoi sipas strategjisë, u shpall tender, tenderi përfundoi dhe tani nuk e shoh arsyen pse nuk vazhdohet me realizimin e projektit”, theksoi Lubica Jançeva, Këshilltare e LSDM.
Punimet për ndërtimin e Luna Parkut në parkun kryesor të Shkupit, filluan në vitin 2017, kur kryetar ishte Koce Trajanov. por edhe sot e kësaj dite ai mbetet i papërfunduar./Alsat.mk