Site icon Telegrafi

Shkupi i tre tualeteve publike

Ndodh edhe kjo! Në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut ka vetëm tre tualete publike. Nga Qyteti i Shkupit thonë se në menaxhim dhe juridiksion të tyre janë vetëm se tre tualete publike. Ndërkohë qytetarët shprehen se mungesa e këtyre tualeteve ndjehet dukshëm gjithandej, nëpër të gjitha lokacionet e qytetit ku numri dhe lëvizjet e qytetarëve është e madhe.

Shkupi, si kryeqendër në Maqedoninë e Veriut, qytet i cili shquhet për numër më të madh të popullsisë në krahasim me qytetet e tjera të vendit me pothuajse rreth 600.000 banorë, vazhdon të ketë nevojat dhe kërkesa të mëdha. Lëvizjet e qytetarëve nëpër sheshet e qytetit, parqe, qendra tregtare… përpos nevojave të tjera urbanistike e infrastrukturore, dukshëm ndjehet nevoja edhe për qasje në tualete publike, nga ku qytetarët e në veçanti personat me nevoja të veçanta, si dhe ato me sëmundje të ndryshme, të kenë mundësi për kryerjen e nevojave të tyre fiziologjike. Nga qyteti i Shkupit informojnë se qyteti në menaxhim dhe përkujdesje ka vetëm tre tualete publike, të cilat janë të lokalizuara nëpër vende ku më së tepërmi ka lëvizje të qytetarëve. “Në përputhje me Ligjin për Qytetin e Shkupit, i cili bën dallimin në kompetencat ndërmjet qytetit dhe komunave, në qytet – tualetet publike janë brenda kompetencave të komunave, kështu që për përgjigje në shumicën e pyetjeve tuaja, duhet të drejtohuni atje. Vetëm tre tualete publike janë nën juridiksionin tonë, ku dy janë të vendosura në parkun e qytetit (një në pjesën e parë dhe një në pjesën e dytë), si dhe tualetet nën urën ‘Goce Delçev’. Mirëmbajtja e këtyre tre tualeteve kryhet nga ndërmarrja publike e qytetit ‘Parqet dhe Gjelbërimi’”, deklaron Valon Salihu, zëdhënës i qytetit të Shkupit.

Ndërkaq thuhet që deri më tani, në Kuvendin e qytetit në asnjë mbledhje nuk është diskutuar për mungesën e dukshme të tualeteve publike, që i bie që deri më tani, asnjë këshilltarë nuk ka marrë guximin të kërkojë debat diskutimi për këtë problematikë. Fadil Nika, këshilltar në Shkup, përmend se deri më tani nuk ka pasur temë diskutimi mbi këtë çështje, ndërsa thotë se temat e rendit të ditës jepen nga vetë qyteti i Shkupit. “Në fakt, deri më tani nuk është diskutuar kjo çështje, se a duhet pasur tualete publike në qytet ose jo. Sa i përket këtyre debateve, kjo çështje as që ka qenë në ndonjëherë rend dite, pasi vetë Qyteti i Shkupit është ajo që konstaton se çfarë do të bisedohet apo diskutohet në mbledhje të saj, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë temë lidhur me këtë”, e pranon Nika.

Shkupi duhet të ngjasojë dhe të marrë shembullin e qyteteve metropole dhe urbanistike të zhvilluara, kështu e konsideron qytetin profesori universitar Afrim Osmani. Sipas tij, qytetit i nevojiten tualete publike si dhe të ndërtuara në formën stoike dhe jo manovruese, pasi kjo do të ishte më lehtë për të gjithë. “Si çdo qytet apo metropol botëror, edhe Shkupit i nevojitet kujdes e sidomos në mbrojtjen e ambientit hapësinorë. Sipas nevojës së paraparë, natyrisht që qytetit i kërkohet nevoja për ndërtimin e tualeteve publike, por jo të tualeteve aty për aty të llojit lëvizës. Tualetet publike duhet të jenë të ndërtuara mirë në vende të caktuar sipas nevojës, por të palëvizshme, që të mirëmbahen dhe të kujdesen nga aspekti higjienik, si dhe t’u shërbejnë qytetarëve për nevojat fiziologjike e kështu me radhë ”, thotë Osmani. Megjithatë, përveç Shkupit, mungesë të tualeteve publike ka pothuajse në të gjitha qytetet e tjera përfshirë Manastirin, Kumanovën, Tetovën e deri tek qytetet turistike buzë liqenit si Struga, Ohri, Prespa dhe Dojrani, që zakonisht gjatë sezonit veror – turistët ndër problematikat kryesore e kanë mungesën e tualeteve publike. /Koha/

Exit mobile version