Parku i ri për zbavitje ‘Luna Park’ pritet të jetë gati në fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa kryetari i Bashkisë së Shkupit, Koce Trajanov, theksoi se në varësi të kushteve të motit, parku mund të jetë gati edhe më herët, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në projektin që ka filluar tre muaj më parë punohet në infrastrukturën nëntokësore, që nënkupton kanalizim fekal, atmosferik, rrjet elektrik dhe ujësjellës, dhe më pas të vazhdohet me pjesët e hyrjes-daljes, objektet e administratës, tualete dhe objekte tjera shoqëruese, për çka janë ndarë 100 milionë denarë dhe pritet të përfundojë në fund të këtij ose në fillim të vitit të ardhshëm, tha Trajanov.
Në fazën e parë të projektit do të vendosen rekuizita adrenaline dhe gjysëm adrenaline dhe 3 rekuizite për fëmijë si dhe një tren dhe vlera e përgjithshme e tyre pritet të jetë rreth 130 milionë denarë. Ndërsa vlera e përgjithshme në përfundim të projektit, duke përfshirë punimet infrastrukturore dhe rekuizitet pritet të arrijë 400 milionë denarë ose rreth 6.5 milionë euro.
Me këtë projekt kapital për ndërtim të parkut për zbavitje në qytetin e Shkupit, për herët të parë pas 44 viteve do të ketë park të ri, bashkëkohor për zbavitje. Në këtë park duhet të vendosen gjithsej 27 rekuizite, nga të cilat 3 adrenaline, 6 familjare dhe 18 për fëmijë./Telegrafi/