Skuadra e Shkupit e ka humbur edhe ndeshjen kthyese në kuadër të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës përballë ekipit Santa Clara.
Në takimin e parë të zhvilluar në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, shkupjanët pranuan tre gola, ndërsa ata e kanë humbur edhe sfidën kthyese në Estadio de Sao Miguel (2-0).
Rezultati u zhbllokua që në minutën e 13-të me golin e Carlos, ndërsa më pas vendasit e dyfishuan epërsinë përmes Mikel Villanueva (39’).
Me këto dy gola të nikoqirëve, skuadrat shkuan në pushim duke e bërë thuajse të pamundur rikthimin e ekipit nga Maqedonia e Veriut.
Në gjysmën e dytë të takimit nuk u shënuan gola të tjerë, ashtu që Shkupi u eliminua nga Liga e Konferencës.
Ndërkaq, Santa Clara ka vazhduar në raundin e tretë, ku do të luajë përballë ekipit Olimpija Ljubljana. /Telegrafi/