Vazhdon kaosi me transportin publik me autobus në Shkup. Mëngjesin e sotëm, transportuesit privatë parkuan autobusët e tyre në kryqëzimin pranë qendrës tregtare “Mavrovasja” në shenjë proteste dhe bllokuan pjesën më të frekuentuar të qendrës së qytetit.
Ata thonë se Ndërmarrja e Transportit Publik (NTP), e cila është në kompetencë të Bashkisë së Shkupit, u ka borxh rreth një milion e gjysmë euro dhe kërkojnë që autoritetet e qytetit t’i shlyejnë borxhet.
“Borxhi është i madh, që nga gushti nuk janë hequr taksat e naftës”, thotë Trajko, një nga drejtuesit e mjeteve që ishte i pranishëm në protestë.
“Le t’i zgjidhim gjërat, kur të ketë para do të ketë punë dhe pa para nuk ka asgjë,” thotë Marian, një shofer tjetër autobusi.
Transportuesit privatë jo vetëm që kërkojnë pagesën e parave që pretendojnë se bashkia u ka borxh, por gjithashtu kërkojnë që Arsovska të mos jetë më në krye të qytetit. Duke folur në protestë, përfaqësuesi i “Sloboda Prevoz”, Kemal Muriq, akuzoi kryetarin e komunës për rrënimin e transportit të qytetit dhe kërkoi nga qeveria që t’ia heqë kompetencat Arsovskës.
“Zoti kryeministër, ne jemi qytetarë të këtij qyteti dhe të këtij vendi që mund të gënjehemi lehtësisht, siç na gënjyen, ne votuam që kryetari i bashkisë të vijë në pushtet. Kërkojmë nga ju që të përdorni të gjitha masat dhe mjetet që keni në dispozicion, siç është heqja e letrave kredenciale, për të mos lejuar sharlatanë të tillë që të jenë në krye dhe të mbajnë post dhe post kaq të lartë si kryetar i qytetit të Shkupit”, tha Muriq.
Arsovska më herët ka akuzuar transportuesit privatë për evazion të të hyrave, lojëra në hije dhe shpenzim të pandershëm të buxhetit të qytetarëve.
Ajo theksoi se në pesë vitet e fundit, transportuesit privatë nuk kanë raportuar asnjë biletë të shitur në autobusët që qarkullojnë për dy shoqatat, dhe në të njëjtën kohë faturat për kilometrat e kaluara i kanë ngarkuar në shumën prej një euro për kilometër nga Ndërmarrja e Transportit Publik.
Transportuesit privatë marrin pjesë në transportin publik me mbi 200 autobusë. Për sot është paralajmëruar se Këshilli i Bashkisë së Shkupit do të mbajë seancë të jashtëzakonshme për çështje të këshillit, ku pritet të merret vendim për zgjidhjen e problemit me autobusët privatë.
Muajin e kaluar ka pasur edhe problem me pagat e punëtorëve të NTP-Shkup, kështu që edhe ata nuk kanë vozitur një ditë pasi dolën në grevë kolektive./Telegrafi/