Site icon Telegrafi

Shkupi largoi Ernest Gjokën

Java e dytë në Ligën e Maqedonisë solli rezultate befasuese, dhe vetëm pak orë pas përfundimit të ndeshjeve, viktima e parë ishte trajneri i FC Shkupit, Ernest Gjoka.

Strategu shqiptar, i cili pritej të garonte për tituj me Shkupin, nga dy ndeshjet e para mori vetëm një pikë. Pikërisht disfata e fundit nga Gostivari ka bërë që kryesia e klubit nga Çairi të largojë trajnerin shqiptar.

Nga burime brenda klubit mësohet se sot do të ketë një darkë me futbollistët dhe stafin, ku do të diskutohet lidhur me atmosferën në klub dhe prurjen e trajnerit të ri.

Shkupi nuk ka shumë kohë për të humbur, pasi të dielën, në kuadër të javës së tretë, do të luajë derbin e qytetit me Vardarin, një nga ekipet me të cilët ka rivalitetin më të madh.

Jo zyrtarisht, përfliten disa emra që mund të marrin postin e trajnerit të Shkupit, si Goce Sedlloski, i cili më parë ka qenë në këtë post. Por, meqë klubi ka sponsor dhe pronar nga Turqia, mund të kemi edhe ndonjë emër turk. Gjithçka pritet të bëhet e qartë ditëve në vazhdim, kur edhe nga klubi do të zyrtarizohet largimi i Gjokës dhe emri i trajnerit të ri.

Exit mobile version