Telegrafi

Shkupi i bashkohet fushatës ”The Distinguished Gentlemen Ride”

Nëpër rrugët e Shkupit kanë parakaluar motoçiklistë me veshje elegante dhe motoçikletë të posaçme, si pjesë e aktivitetit të ”The Distinguished Gentlemen Ride”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Këtij aktiviteti global që mbahet në të njëjtën ditë në 500 qytete në tërë botën, iu bashkua edhe Shkupi, aktivitet që ka të bëjë me kujdesin për sëmundjet e meshkujve dhe parandalimin e tyre.

Për të ngritur vetëdijësimin te meshkujt dhe për të mbledhur mjete për të parandaluar kancerin në prostatë, 70 motoçiklistë defiluan nëpër rrugët e Shkupit, nga lagja Aerodrom e deri në lagjen Karposh.

Përndryshe, The Distinguished Ride është themeluar në vitin 2012 nga australiani, Mark Hawwa. Aktiviteti i parë arriti që të bashkojë 2500 motoçiklistë në 64 vende të botës, që Mark Hawwa e shfrytëzoi për çështje humanitare, duke ngritur vetëdijen e meshkujve për shëndetin e tyre./Telegrafi/