Bashkia e Shkupit sot i shpalli policin, zjarrfikësin dhe gjakdhuruesin më të mirë për vitin 2017. Zjarrfikës më i mirë është shpallur Xhevat Ibraimi, komandant i repartit në Brigadën Zjarrfikëse të Bashkisë së Shkupit, nëpunës më i mirë policor për vitin 2017 është, Zoran Pavllovski, i punësuar në Sektorin për siguri të trafikut rrugor pranë Sektorit të Punëve të Brendshme – Shkup, ndërsa për gjakdhurues më të mirë është shpallur Zoran Stojimenovski.
Mirënjohjet i ndau zëvendëskryetari i Bashkisë së Shkupit, Enver Maliqi, i cili tha se kjo mirënjohje duhet të jetë motivim personal për secilin prej tyre, por edhe shembull i mirë për mjedisin në të cilin punojnë.
Ibraimi theksoi se mbresëlënëse për këtë vit ka qenë pjesëmarrja në aksionin për shpëtimin e dy personave në Vodno të cilët janë nxjerrë të gjallë nga humnera e thellë 30 metra.
Polici më i mirë Pavllovski humanitetin e tij e ka shfaqur në ndihmën e shoferit i cili ka qenë me një grua shtatzënë në automjet, ndërsa është bllokuar në trafik të shkaktuar nga protesta.
Gjakdhuruesi i cili u shpall më i mirë e bën këtë vepër nga viti 1988 dhe deri më tani ka dhuruar gjak 104 herë./Telegrafi/