Site icon Telegrafi

Shkup, spitali në Kozle i mbushur me pacientë nga gripi sezonal

Përhapja e gripit sezonal ka mbushur pothuajse të gjithë shtretërit në Klinikën për sëmundjen e mushkërive te fëmijët. Në Kozle shtrihen 60 fëmijë nga të gjitha moshat dhe në të gjitha repartet, ndërsa 6 prej tyre ndodhen në repartin për kujdes intensiv dhe u ofrohet mbështetje me oksigjen.

“Meqë bëhet fjalë për festa dhe fundjava të zgjatura, pothuajse janë të mbushura kapacitetet e spitalit, por ne mundohemi, lëshojmë fëmijë që janë në fund të mjekimit me qëllim që të bëjmë vend që t’i pranojmë të gjithë pacientët. Fëmijët që janë më të sëmurë e që kanë nevojë për mjekim intensiv ose terapi me oksigjen, i kemi për kujdes në repartin intensiv dhe pranojnë mbështetje me oksigjen, kemi edhe fëmijë të tillë për momentin 5-6 fëmijë janë të shtirë në repartin për kujdes intensiv dhe janë me mbështetje me oksigjen”,tha Ole Spasova, mjeke në Kozle.

Mjekja Ole Spasova, tha se gjatë kujdestarisë 24 orëshe, bëhen rreth 200 kontrolle, ndërsa pranohen 10 deri në 15 pacientë. Numri më i madh i pacientëve janë të prekur me gripin influenca A.

“Fëmijët që vijnë në ambulancat tona janë me simptoma të ftohjes dhe gripit, me temperaturë të ngritur, dhimbje të fytit, plogështi, kollitje, teshtima, frymëmarrje e vështirësuar”, u shpreh Ole Spasova, mjeke në Kozle.

Mjekët apelojnë për kujdes të shtuar, shmangie të daljeve pa nevojë, mbajtjes së maskave dhe fëmijët të mos ekspozohen ndaj ajrit të ndotur.

Exit mobile version