Rruga John F. Kenedy do të përshkojë lagjen rome në Çair për t’u bashkuar me Bulevardin Nikolla Karev ose siç njihet rruga e plastikave.
Qyteti i Shkupit filloi me procedurën për përgatitjen e një projekti për këtë rrugë të re, e cila do të jetë baza për ndërtimin e saj, për të cilën u nënshkrua një marrëveshje për bashkëpunim ndërkomunal me komunat e Çairit dhe Karposhit.
Rruga John F. Kenedy pritet të vazhdojë nga kryqëzimi me Rrugën e Brigadës maqedonase-kosovare deri në Bulevardin Nikolla Karev në Ambasadën e SHBA.
Në këtë hapësirë tani ka shtëpi nga lagjja rome, dhe për ndërtimin e saj do të rrënohen tridhjetë, ndërsa pronarët do të dëmshpërblehen.
Rruga do të ketë katër korsi, dy në secilin drejtim dhe siç thotë kryetari Petre Shilegov, do të mundësohet qarkullim i shpejtë i trafikut në këtë pjesë.
“Thyerja e kësaj rruge është pjesë e vizionit dhe korridoreve që po ndërtojmë në pjesën veriore të qytetit, në mënyrë që të mundësojmë rrjedhje më të shpejtë të trafikut dhe kohë më të shkurtër të udhëtimit. Kjo pjesë e Shkupit është lënë pas dore me vite. Aktualisht po zgjerojmë Bulevardin Nikolla Karev, po punojmë në Rrugën Brigada maqedonase-kosovare dhe pres që këtë vit të përfundojmë me projektin e rrugës së re dhe që punimet e ndërtimit të fillojnë vitin e ardhshëm”, tha Kryetari i Komunës Petre Shilegov./Telegrafi/