Site icon Telegrafi

Shkup, regjim i posaçëm në komunikacion për shkak të ‘Ditës së shpirtërave’

Për shkak të Ditës së shpirtërave, prej sot deri të dielën pritet intensitet i shtuar në komunikacion nëpër rrugët të cilat gravitojnë rreth varrezave “Butel”, “Kamnik” dhe “Gjorçe Petrov”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Intensitet më i madh pritet nesër në periudhën prej orës 9:00 deri në orën 16:00 në varrezat e qytetit “Butel” kur do të vendoset regjim i posaçëm i zhvillimit të komunikacionit. Qasja drejt varrezave do të jetë nga rruga “Aleksandar Urdarevski”, afër tregut “Butel”, në të majtë përgjatë rrugës lokale për në fshatin Mirkovc, në të majtë nëpër rrugën “Boca Ivanova” deri tek parkingu para varrezave.

Do të jetë e ndaluar qasja nga rreth rrotullimi në rrugën “Alekdsandar Urdarevski”, në të majtë nëpër rr. “Boca Ivanova”.

Drejtimi i kundërt, përkatësisht dalja e automjeteve do të zhvillohet prej varrezave, nëpër rr. “Boca Ivanova”, në të djathtë nëpër rrugën “Aleksandar Urdarevski”. Nëse shfaqet nevoja dhe varësisht nga gjendjet momentale, ky regjim mund të vendoset edhe gjatë ditëve në vijim.

Nga policia rrugore bëjnë thirrje që pjesëmarrësit në komunikacion të jenë të durueshëm dhe të kenë parasysh se do t’u nevojitet më shumë kohë se zakonisht për arritje në destinacionin e fundit. Bëhet thirrje që drejtuesit e automjeteve t’i respektojnë instruksionet dhe dispozitat që do t’u jepen nga ana e nëpunësve policorë dhe të sillen me përgjegjësi dhe në mënyrë humane. /Telegrafi/

Exit mobile version