Të gjithë e duan verën, por askush nuk i do mushkonjat. Ndërkohë që këto të fundit janë vënë në aksion për të realizuar sa më shumë pickime edhe Qyteti i Shkupit nuk rrinë duarkryq. Për periudhën maj-shtator, planifikojnë realizimin e 5 spërkatjeve kundër mushkonjave të rritura, dhe 3 të tjera kundër larvave të mushkonjave.
Deri tani janë realizuar vetëm 3 të tilla. Pajisje të vetat Qyteti nuk ka, por ka lidhur marrëveshje me tre kompani në vlerë prej 29 milion denarë. Zëdhënësi i Qytetit të Shkupit, Valon Saliu, thotë se substancat që përdoren për spërkatje nuk janë të dëmshme për shëndetin e qytetarëve apo për mjedisin. Përveç qytetarëve, kujdes i veçantë i kushtohet informimit të bletarëve pasi që preparatet e përdorura mund të ndikojnë negativisht ndaj bletëve.
“Zakonisht ato identifikohen nëpër vendet ku ka më shumë lagështirë, rreth lumenjve, rreth kënetave, rreth liqeneve, Prandaj problemet më të mëdha me mushkonjat janë tek bregu rreth lumit Vardar. Spërkatjen e bëjnë kompanitë e kontraktuara, ndërsa procedurën e implementimit, të gjithë planin e bën Qyteti i Shkupit”, tha Valon Saliu- zëdhënës i Qytetit të Shkupit
Megjithatë, qytetarët thonë se pavarësisht spërkatjeve, mushkonja ka, por se edhe vet marrin masa kundër tyre duke blerë sprej të ndryshëm nëpër farmaci. E disa të tjerë janë të preferuarit e mushkonjave, andaj ankohen se 5 spërkatje për periudhën maj-shtator janë shumë pak.
“Ka mushkonja, por nuk është ndonjë gjë për t’u çuditur. Më së shumti ka nëpër shtëpitë që kemi në fshat, atje janë më të rrezikshme, por këtu nuk ka shumë”.
“Ka mushkonja, spërkatemi, por përsëri pickojnë. Ja e vogla është me shenja nga këmbët për shkak të mushkonjave. Këtë javë nuk ka shumë, javën e kaluar kishte më tepër”.
“Tani ka shumë. Tani duhet të spërkatet. Tani ka më së shumti, në këtë kohë, në këtë sezon. 100 kam blerë, u vesha me rroba me mëngë të gjata” theksojnë qytetarët.
Spërkatja e radhës pritet në fillim të muajit Gusht, informimi i qytetarëve bëhet disa dit para spërkatjes./Alsat/