Site icon Telegrafi

Shkup: Qendra për Punë Sociale refuzon ndihmën për Suaret Alishan, i cili është 99 përqind i verbër

Qendra për Punë Sociale në Karposh, e ka refuzuar për kompensim për kujdes nga një person tjetër personin Suaret Alishan, i cili 99 përqind është i verbër, që nga lindja.

Alishan për “Sloboden Pecat”, përcjell Telegrafi Maqedoni, thotë se do ta padisë shtetin, pasi këtë veprim të institucioneve e vlerëson si skandaloz dhe jo njerëzor.

Ai thotë se 14 muaj është pa kompensim mujor, të cilin e ka marrë më herët në vlerë prej 4.500 denarëve në muaj.

Mjekja e tij amë, ka tentuar t’i caktojë termin, megjithatë komisionet gjatë pandemisë nuk kanë punuar, kështu që nuk ka mundur ta dorëzojë në sistem dokumentin se është i verbër.

Alishan është revoltuar pasi për një situatë të lindur dhe që nuk do të ndryshojë kurrë, ai duhet të kalojë nëpër labirintet e pakëndshme administrative çdo dy vjet, edhe pse institucionet kanë një dosje të tërë për të, në të cilën ndodhen të gjitha dokumentet.

“Pa asnjë shpjegim, ata më ndërprenë kompensimin për kujdes nga një person tjetër. Komisioni në kulmin e pandemisë nuk punoi. Kërkesën e kam dorëzuar më 20 mars 2020. Për pesëmbëdhjetë muaj jam pa kujdes. Kur erdhi koha për të lëshuar terminet, mjekja amë nxori listat se sa herë ajo kishte aplikuar për termin. Terminet në internet nuk mund të caktoheshin, kështu që mjeku i përgjithshëm nuk mund t’i bashkangjiste dokumentet e mia në komisionin online për të përpunuar lëndën time. Fatkeqësisht, kjo kulmoi dje me një zgjidhje me një datë joreale”, tha Alishan.

Qendra për Punë Sociale e refuzoi Alishanin, sepse ai nuk dorëzoi kërkesë për termin për komision ekspertë për ndihmë nga një person tjetër, dhe rrjedhimisht nuk ka marrë asnjë vlerësim dhe mendim për nevojën për ndihmë nga një person tjetër, i cili është kusht i domosdoshëm për të marrë kompensim në të holla.

Udhëheqësja Beti Joshevska e nënshkroi këtë vendim më 27 maj të këtij viti, megjithëse Alishan pretendon se ai e dorëzoi kërkesën në mars të vitit 2020, dmth ai priti për një vit e dy muaj për të vendosur për kërkesën e tij.

Alishan thotë i posedon edhe dokumentet tjera, që janë të nevojshme për të fituar të drejtën e kompensimit për kujdes nga një person tjetër. Ai thotë se këtë çështje do ta vazhdojë në instancat gjyqësore./Telegrafi/

Exit mobile version