Prokuroria për Hetimin e Krimit të Organizuar pas një procedure para-hetimore, lëshoi urdhër për zbatimin e procedurës hetimore ndaj 10 personave të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale “shpërdorim të pozitës dhe autorizimeve”.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit me veprimet e tyre për t’i ndihmuar të dyshuarit e parë kanë shkaktuar dëm ndaj buxhetit të Maqedonisë së Veriut prej 25.502.282.00 denarë (450 mijë euro).
Siç informojnë sot Prokuroria Publike, në periudhën prej vitit 2010 deri në vitin 2018 në Dellçevë i dyshuari i parë, ish-prokuror publik, në cilësinë e zyrtarit – sekretarit dhe përfaqësuesit ligjor, deputet i Kuvendit dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të një Shoqate qytetare në pronësi shtetërore, dhe në të njëjtën kohë një person përgjegjës – menaxher në një person juridik në pronësi private, ka shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare dhe ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare.
“Në periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2015 dhe më vonë në periudhën 2015-2018, me qëllim të përfitimit të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe djalin e tij, ka shfrytëzuar pozitën zyrtare dhe tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare. I dyshuari i parë me dashje, i ndihmuar nga të dyshuarit tjerë në cilësinë e zyrtarëve, anëtarë të organeve të shoqatës qytetare dhe shoaqtës private, kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme me të cilat në mënyrë të kundërligjshme kanë përvetësuar të gjithë pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme, të drejtat pronësore dhe në mënyrë të kundërligjshme, shoqatës civile në pronë shtetërore i ka kaluar personit juridik – shoqëri në pronësi të të dyshuarit të parë që ushtron të njëjtën veprimtari me shoqatën, e cila është shuar në vitin 2017 për shkak të likuidimit”, thuhet në njoftimin PTHP-së.
Përveç anëtarëve të Kuvendit dhe Bordit Ekzekutiv të shoqatës, në mesin e të cilëve është një i dyshuar dhe një ish-ministër pa portofol, sipas Prokurorisë Publike, të dyshuar janë edhe kreu i Administratës për Çështje Pronësore dhe Juridike në Ministrinë e Financave, një avokat shtetëror, një noter dhe dy regjistrues të autorizuar nga Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Me propozim të prokurorit publik, gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup për dy të pandehurit e parë caktoi masën e arrestit shtëpiak./Telegrafi/