Telegrafi

Shkup, helmohen 12 persona në një dyqan të ushqimeve të shpejta

12 persona me simptoma të helmimit nga ushqimi janë hospitalizuar në spitalet e Shkupit, njoftoi Ministria e Shëndetësisë. Nga atje thonë se personat kanë ngrënë sandviç me mish pule dhe gjedhe në dyqanin “Shtatë” që gjendet në bulevardin “Aradhat Partizane” në Shkup.

Gjatë ditë së sotme është kryer hetim ndërsa objekti është mbyllur, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Sot Inspektorati shtetëror sanitar dhe shëndetësor nga rajoni i Karposhit ishte informuar nga Qendra për shëndet publik – Shkup për rastet e pacientëve të helmuar, të cilët kanë ngrënë sandviç me mish pule dhe gjedhe në obejktin “Shtatë”. Inspektimi është kryer në bashkëpunim me ekipin e Qendrës për shëndet publik – Shkup dhe dy inspektorë nga Agjencia për ushqim dhe veterinari”, njoftoi Minsitria e Shëndetësisë.

Nga Ministria njoftojnë se deri në përfundimin e hetimeve, numri i personave me dhembje barku, diarre, vjellje dhe temperaturë prej 39-40 ka arritur në 12.

Nëntë prej tyre janë vendosur në Klinikën për sëmundje infektive, ndërsa në departamentin e infektologjisë në spitalin “8 Shtatori” janë vendosur edhe tre persona tjerë./Telegrafi/