Tensionet e fundit në Shqipëri që dolën në sipërfaqe me revoltën ndaj taksës rrugore dhe vazhduan me protestat e opozitës për rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit Edi Rama, janë pasojë e një politike ekonomike të ndjekur ndër vitem që ka shkaktuar pakënaqësi dhe ka rënduar gjendjen ekonomike të qytetarëve, vlerëson opinionisti Armand Shkullaku nga Tirana.
Kjo analizë vjen disa ditë pasi që mijëra qytetarë nga të gjitha viset e Shqipërisë bllokuan akset kryesore rrugore për në Tiranë, me ftesën e opozitës për të protestuar kundër vendimit të Qeverisë për taksën rrugore prej 5 eurosh në një drejtim për autostradën Morinë-Durrës.
Protesta pasoi djegien e sporteleve të pagesës të vendosura pranë Kalimashit nga protestues nga Kukësi dhe arrestimin e 23 personave nga forcat e rendit, 11 prej të cilëve po mbahen në burg në kohë të pacaktuar.
Trazirat dhe protesta detyruan kryeministrin shqiptar Edi Rama që të pezullojë përkohësisht vendimin e tij për taksën rrugore.
Rama bëri të ditur se pagesa e tarifës nuk do të aplikohet deri sa të gjendet një zgjidhje për banorët e zonës veriore të Shqipërisë.
“Gjendja e krijuar është pasojë direkt e politikave kaotike të Qeverisë specifikisht mbi tarifimin e rrugës së Kombit dhe, në përgjithësi, pasojë e një strategjie ekonomike tepër të kritikueshme lidhur me partneritetin publik- privat, që Qeveria Rama ka ndjekur gjatë pesë viteve të qeverisjes”, tha Armand Shkullaku në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
“Revolta në Kalimash ishte pra pasojë jo vetëm e një takse të lartë për rrugën, por edhe rrjedhojë e një politike abuzive disa vjeçare me taksat e shqiptarëve,” tha ai.
Pagesa, sipas Shkullakut, e imponuar pa konsultime paraprake dhe që kufizon të drejtën e lëvizjes përmes një rruge tjetër alternative që mund të shfrytëzohej nga banorët e viseve veriore, paraqet një kosto të papërballueshme për një pjesë të popullatës, gjysma e së cilës jeton në prag të varfërisë dhe mbijeton në saje të asistencës sociale.
Sipas tij, viteve të fundit qytetarët janë ngarkuar vazhdimisht me taksa të larta dhe rritje të çmimeve të energjisë, ujit dhe produkteve bazë ushqimore, “ndërkohë që Qeveria ka shpenzuar qindra miliona euro në koncensione të ngjashme më atë të Rrugës së Kombit që nuk kanë pasur impakt në jetën e njerëzve.”
Opozita shqiptare kaloi në mosbindje civile, duke kërkuar nga qytetarët të mos paguajnë tarifën rrugore dhe të protestojnë deri në rrëzimin e Qeverisë Rama.
Megjithatë, Shkullaku shprehet kritik edhe ndaj opozitës dhe mungesës së besimit ndaj saj nga popullata e gjerë, për të kanalizuar këtë zemërim në ndryshim konstruktiv.
“Njerëzit e lodhur nga keqpërdorimi i pushtetit ndër vite nga të gjitha partitë politike, janë skeptikë ndaj politikanëve,” deklaroi Shkullaku.
“Ata besojnë se çdo forcë politike, ashtu siç ndodhi edhe me socialistët në pushtet, e shfrytëzojnë pakënaqësinë dhe revoltën e tyre për të ardhur në pushtet dhe më pas nuk bëjnë asgjë për ta”, tha ai.
Javën e kaluar, qindra protestues janë përplasur me Policinë e Shqipërisë pranë sporteleve ku duhet të bëhej pagesa prej 5 eurosh për taksën rrugore në Rrugën e Kombit në Kalimash.
Protestuesit kanë shkatërruar tërësisht kabinat e pagesës së tarifës, duke i goditur me mjete të forta dhe duke ua vënë zjarrin.
Rruga e Kombit, autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën, filloi të ndërtohej në vitin 2006 dhe përfundoi në vitin 2010, me ndërtimin e Tunelit të Kalimashit, megjithëse një pjesë e rrugës nga Kukësi deri në kufi me Kosovën ka mbetur e papërfunduar.
Kjo autostradë njihet si njëri nga projektet më madhore infrastrukturore që ka intensifikuar komunikimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, por kostoja e kësaj rruge, e paguar me buxhetet shtetërore edhe të të dy vendeve, vazhdon të jetë shënjestër e kritikave për barrën buxhetore që e ka shkaktuar. /REL /Telegrafi/