Megjithëse numri shqiptarëve të mbërritur me gomone në Angli është i papërfillshëm krahasuar me vitin e shkuar, mediat e vendit ishull vijojnë të prodhojnë shkrime dedikuar shqiptarëve.
Kjo sepse shqiptarët publikojnë me foto dhe video në TikTok, udhëtimin e rrezikshëm të kalimit të kanalit të La Mansh, e më pas jetën e tyre të lirë në rrugët e Anglisë, transmeton Tch.
Gazeta The Time e Londrës në një shkrim dedikuar emigracionit ilegal ka si titull “Kriza e gomoneve, shqiptarët publikojnë video të udhëtimit drejt tokës të premtuar”.
Në fokus të shkrimit The Times, sjell rastin e shqiptarit Daniel Docaj për të cilin thotë se ka publikuar në Tik Tok një video nga brenda gomones me mbishkrimin “Hajde na e priftë zoti mar e mirë të tanve”.
Në vijim të shkrimit The Times shkruan se Daniel Docaj disa ditë më pas po në TikTok publikoi foto duke pozuar përpara “Syrit të Londrës”.
The Times thekson se të tilla postime si këto të Daniel Docajt, janë tipike të shumë shqiptarëve, të cilët pa kurrfarë droje dokumentojnë me video udhëtimin e kalimit të 21 miljeve nga Franca në Angli.
Gjatë periudhës janar-korrik 2023 sipas The Times me gomone në Angli kanë mbërritur 429 persona ndërkohë vitin e shkuar numri ishte 12.301.
Kjo gazetë e Londrës risjell për lexuesin qëndrimin e kryeministrit Rishi Sunak i cili ka thënë se “ulja drastike e numrit të shqiptarëve të mbërritur me gomone lidhet me marrëveshjen me qeverinë shqiptare për të shtuar dëbimet drejt Tiranës të emigrantëve ilegal vajtur me gomone”.