Telegrafi

Shkuan për të peshkuar, policia amerikane i gjen tre shokët e masakruar pranë liqenit

Policia në Florida është duke hetuar vrasjen e tre miqve që janë rrahur dhe vrarë me armë zjarr në liqenin Streety në Frostproof, ku trupat e tyre të pajetë janë gjetur, shkruan ABC News.

“Kemi hasur në një skenë rrëqethëse”, ka deklaruar sherifi Graddy Judd para gazetarëve duke shtuar se ka parë shumë vrasje, por se këto janë më të këqijat që ka pasur rastin t’i shoh gjatë karrierës, transmeton Telegrafi.

Trupat e tre miqve, Damion Tillman, 23-vjeç, Brandon Rollins, 27, dhe Keven Springfield, 30-vjeç, sipas sherifit ishin masakruar.

Treshja ishin nisur gjatë natës për peshkim dhe kërkonin një vend të përshtatshëm afër liqenit, kur u sulmuan disa minuta pasi kishin arritur në destinacion.

Policinë e kishte informuar babai i Rollinsit, të cilin e kishte zgjuar i biri i tij me një telefonatë duke kërkuar ndihmë nga ai.

“Me të mbërritur në vendin e ngjarjes dhjetë minuta pas telefonatës, kishte gjetur të birin që ende jepte shenja jete, kurse dy të rinjtë tjerë tashmë kishin vdekur”, ka thënë ndër tjera sherifi, duke shtuar se i kishte telefonuar babai i të ndjerit nga një pompë e derivateve.

I biri i tij kishte arritur t’ia thotë disa fjalë babait të tij, por ato fjalë që ia ka thënë nuk janë bërë publike për opinionin. Rollins kishte ndërruar jetë para se të arrinte autoambulanca.

I pyetur nëse të rinjtë njiheshin me vrasësin, sherifi tha se nuk mund të thotë asgjë me siguri, por shtoi se “nuk bëhet fjalë për një vend që rastësisht takoni një person”. /Telegrafi/