Një student 19-vjeç nga Hong Kongu është arrestuar, pas pretendimeve për vrasjen e të dashurës 20-vjeçe gjatë një udhëtimit “romantik”.
Kamerat e sigurisë kanë filmuar momentin, kur i riu tërheq zvarrë një valixhe me ngjyrë rozë brenda të cilës besohet të kishte fshehur trupin e pajetë të dashurës, të cilën e nxjerr nga hoteli dhe më pas me të niset drejt stacionit të metrosë, transmeton Telegrafi.
I dyshuari Chan Tung-kai, ka pranuar në polici se kishte ngufatur të dashurën, Poon Hiu-wing, me të cilën kishte pasur një zënkë gjatë udhëtimit të tyre për në Tajvan.
Por, duket se kamerat e sigurisë ishin ato që e “tradhtuan” të riun, pasi filmuan momentin kur ai del nga hoteli me një valixhe gjigante brenda të cilës e kishte futur trupin e pajetë të partneres të cilën e kishte ngufatur.
Chan dhe Poon që të dy studentë të njëjtit universitet, raportohet se kishin udhëtuar për në Tajvan për të festuar ditën e të dashuruarve (Shën Valentinin).
Dyshja ishin në lidhje për më shumë se një vit, ndërsa në postimin e fundit të Poon në Facebook, ajo kishte shkruar: “Ai më ka thënë se jam e para dhe e dashura e tij e fundit”. /Telegrafi/