Telegrafi

Shkuan në luftë me 80 ushtarë e u kthyen me 81, Lihtenshtajni – historia e shtetit të gjashtë më të vogël në botë

Lihtenshtajni është vend i vogël – i katërti më i vogël në Evropë dhe i gjashti në botë – që shtrihet përgjatë brigjeve Rajna mes Zvicrës dhe Austrisë.

E prej atje na vie një histori pak e ditur, por shumë interesante që edhe sot mbetet mister për shumëkënd, transmeton Telegrafi.

Ata kanë arritur të qëndrojnë neutral (dhe me këtë të shmangin humbjet) në të dy luftërat botërore.

Madje në vitin 1943 ata ndaluan formimin e partisë naziste. Në atë kohë nuk kishin as ushtri, pasi që në vitin 1868 u reformuan plotësisht.

Megjithatë, historia për rojat e fundit të ushtrisë së Lihtenshtajnit nga viti 1866 është e njohur për dy arsye – e para, nuk kanë pasur as edhe një viktimë, sepse i kanë shmangur të gjitha luftërat.

E dyta, kanë shkuar në vijën e frontit me 80 ushtarë – janë kthyer në shtëpi me 81.

Çfarë ka ndodhur?

Gjatë luftës austriako-pruse të vitit 1866, Lihtenshtajni dërgoi 80 ushtarë për të ruajtur kalimin Brener mes Austrisë dhe Italisë, derisa 20 rezervistë qëndruan prapa tyre.

Edhe pse ushtria është dashur të kryej detyrat e saj – të mbrojë territorin nga sulmet e mundshme nga italianët, portali war history online shkruan se “në fakt nuk kanë pasur nevojë të bëjnë asgjë tjetër – përveç se të qëndrojnë ulur në malet e bukura – pinë verë dhe të shijojnë cigare”.

Megjithatë, beteja e Kenigracit i dha fund luftës, prusët fituan – ushtarët e Lihtenshtajni u kthyen në shtëpi. Por, kur u kthyen – ishte një më shumë – ushtari i 81-të ishte kthyer me ta.

Kush ishte “teprica”?

Siç raporton The World at War, oficeri austriak i angazhuar në radio-lidhje ka “qenë një person misterioz” që iu bashkua ushtarëve.

Në anën tjetër, Lonely Planet shkruan se ushtarët e Lihtenshtajnit personin e ri në grup e quajtën “mikun italian”, derisa raportohet se mund të bëhet fjalë për një dezertor të një ushtrie tjetër.

Asnjë nga këto rrëfime nuk është konfirmuar, por as mohuar. Ndërkohë, Lihtenshtajni ka arritur të bëhet një shtet i vogël por shumë i suksesshme që edhe sot nuk ka ushtri. /Telegrafi/