Gazetari i BBC-së, Adam Scovell, analizon se sa profetike ka qenë vepra e shkrimtarit Philip K Dick. Shkrimin e tij telegrafi e sjell si më poshtë.
Jam në një kontroll pasaportash. Mund ta shoh fytyrën time në ekran. Teknologjia më njeh dhe lejon të kaloj. I skanoj kodet që e tregojnë statusin tim të vaksinimit dhe rezultatet e fundit të testit të koronavirusit. Makineritë i analizojnë të dhënat në lidhje me shëndetin dhe me mikrobiologjinë time. Përmes dhomës së pritjes, njerëzit shikojnë në ekranët e vegjël. Një numër çuditërisht i madh i tyre kanë hapur kamerat dhe po i fotografojnë fytyrat në kënde të ndryshme, thuajse kanë harruar se si duken. Hap laptopin tim dhe bashkohem me ta. Ia jap të dhënat një kompanie për të hyrë në mbretërinë digjitale. Shfaqen reklamat e përshtatura për personalitetin tim. Më njohin më mirë se unë veten time.
Shkrimtarët e fantashkencës janë më parashikues se të tjerët. Qoftë kërcënimi ndaj të drejtave të grave në veprën e Margaret Atwoodit, distopitë arkitekturore dhe sociale të romaneve të JG Ballardit, apo bota e EM Forsterit që parashikon internetin – “Makina ndalon” (1909), ky zhanër është i mbushur me shkrimtarë profetikë.
Nga të gjithë këta shkrimtarë, pak prej tyre e parashikuan kohën tonë si autori amerikan Philip K Dick, i cili vdiq 40 vjet më parë në moshën 53-vjeçare. Në një periudhë jashtëzakonisht të frytshme 30-vjeçare, Dick i shkroi 44 romane dhe tregime të panumërta të shkurtra, përshtatjet e të cilave vazhduan ta ripërcaktojnë fantashkencën në ekran – në veçanti “Vrapuesi në teh” (1982) i Ridley Scottit, i cili u bazua në tregimin e Dickut, “A i ëndërrojnë robotët delet elektrike?” (1968), dhe “Kujtesa totale” e Paul Verhoevenit (1990) që si material burimor e kishte tregimin e tij të shkurtër, “Mund ta kujtojmë të tërën për ju” (1966). Kohët e fundit, romani i tij, “Burri në kështjellën e lartë” (1962), është përshtatur në një hit-serial në Amazon.
Dick nuk ishte thjesht një shkrimtar i suksesshëm i trillimeve të çuditshme por, më vete, një person i pazakontë. I rënduar nga përkeqësimi i shëndetit mendor, nga vizionet dhe ato që ai pretendonte se ishin të gjitha llojet e përvojave paranormale – shumë prej të cilave ishin thurur në opusin e tij të gjerë – Dick e kishte një marrëdhënie të trazuar dhe të fragmentuar me realitetin. Në vitet 1970, autori nisi t’i përjetonte dy periudha paralele kohore të jetës së tij; mendimet e tij u trazuan më 1974 nga ajo që ai ia tha intervistuesit Charles Platt – “mendja transcendentalisht racionale”, diçka për të cilën kishte shumë emra, por kryesisht VALIS (akronim për Sistemin e Inteligjencës së Jetës së Gjerë Aktive). Kjo u bë temë e një prej veprave të tij të vona gjysmë-autobiografike, romanit “VALIS” të vitit 1981, i botuar jo shumë kohë para vdekjes së tij.
Qoftë nëse vizionet e tij ishin mjekësore apo të mbinatyrshme, një gjë është e qartë: kishte aftësi befasuese për ta paralajmëruar botën moderne. Autori i famshëm i fantashkencës dhe fantazisë, Stan Nicholls, thotë se puna e Dickut është parashikuese sepse e eksploronte të ardhmen përmes së tashmes së atëhershme. “Historitë e tij e shtruan praninë e kudondodhur të internetit, të realitetit virtual, softuerit për njohjen e fytyrës, makinave pa shofer dhe të printimit 3D”, thotë Nicholls teksa thekson se “është një keqkuptim se parashikimi është qëllimi kryesor i fantashkencës; nuk është i lartë niveli me të cilin ky zhanër e prek këtë aspekt. Si të gjitha fantashkencat e mira, tregimet e tij nuk kishin të bënin me të ardhmen: ato kishin të bëjnë me tani dhe këtu”. Në të vërtetë, përfshirja në të ardhmen e aspekteve të përditshme të Amerikës së pasluftës, ka nënkuptuar se botët e tij kanë një njohje surreale.
Megjithatë, mbetet e habitshme mënyra se si i parashikoi zhvillimet e veçanta teknologjike dhe shoqërore. “Kishte shumë imazhe shkencore në mënyrën se si do të funksiononte e ardhmja”, thotë Anthony Peake, autor i biografisë “Jeta e Philip K Dickut: Njeriu që kujtoi të ardhmen” (2013). “Për shembull, e kishte një koncept se si ju do të mund t’ua komunikoni drejtpërdrejt reklamat njerëzve; se do të jeni në gjendje t’i njihni aq mirë sa të mund ta bëni marketingun pikërisht sipas parashikimeve të tyre. Dhe, kjo është pikërisht ajo që po ndodh në internet”.
Peake mund t’i referohet cilitdo tregimi të Dickut, por më i famshmi në këtë aspekt është tregimi i vitit 1956, “Raporti i pakicës”, i përshtatur më 2002 për kinema nga Steven Spielberg. Përshtatjet për ekran shpesh janë lidhura me natyrën e reklamimit në veprën e tij, edhe pse shkrimtari e ka eksploruar temën në shumë më tepër detaje sesa si një estetikë në sfond (siç shfaqet në ekran).
Për shembull, në tregimin e shkurtër të vitit 1954, “Pika e shitjeve”, ideja e reklamimit agresiv, por të personalizuar në mënyrën që të shqetëson, vjen nga një makinë e çmendur që vazhdimisht reklamon te protagonisti i tregimit. Në anën tjetër, në romanin e vitit 1964, “Simulakra”, reklama mishërohet nga një krijesë mekanike si miza. Siç shkruan në roman, “reklama me madhësi sa miza, nis të bëjë zhurmë me mesazhe posa ia del të futet me forcë”. Është ky ekuivalent fizik i reklamave të padëshiruara ose të përshtatura që na shfaqen në mediat sociale.
Vepra e Dickut shpesh kishte dimension politik. “Burri në Kalanë e Lartë”, për shembull, e paramendon një histori alternative në të cilën nazistët e fituan Luftën e Dytë Botërore. Në veprat më pak të njohura, si “Syri në qiell” (1957), kjo politikë është më shumë e periudhës. Në roman, një grup njerëzish ngecin në botë të ndryshme të krijuara nga secili individ, falë një përshpejtuesi të grimcave që nuk funksionon. Rrëfimi fokusohet veçanërisht në një botë të ëndërruar nga anëtari komunist i grupit, i cili është përjashtuar nga laboratori për besimet e tij. Kthesa është se bota e krijuar me prirje të dukshme marksiste në fakt është produkt i shefit të sigurimit të laboratorit i cili gjithashtu ishte komunist, por i fshehur. Libri tregoi se politika e Dickut nuk mund të thjeshtohej në një përshkrim të drejtpërdrejtë të së majtës ose të djathtës, pasi me sulmet e tij thumbonte si ndaj gjuetisë së shtrigave në stilin e periudhës McCarthy, ashtu edhe animet ungjillore ndaj komunizmit.
Dick ishte krejtësisht kundër establishmentit: tregimet e tij i shfaqin autoritetet dhe kompanitë që abuzojnë vazhdimisht me pushtetin, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbikëqyrjen. Botët e tij janë të komercializuara dhe qytetarët janë të varur nga materializmi, ndërsa të famshmit, mediat dhe politika shkrihen për të krijuar skenarë të makthit autoritar, zakonisht të mbushur me doza të rënda të teknokracisë dhe burokracisë.
Kjo burokraci u shfaq në forma të ndryshme gjatë gjithë veprës së tij. Në romanin e vitit 1974, “Rridhni lotët e mi, thotë polici”, i vendosur në një distopi të vitit 1988, ShBA-ja sundohet nga një diktaturë, nga një këngëtar dhe prezantues televiziv i quajtur Jason Taverner që zgjohet dhe e sheh veten në një botë ku ai befas nuk është më i famshëm dhe ku i mungojnë dokumentet e shumta të duhura për të shmangur arrestimin dhe dërgimin në një kamp pune.
Personazhet tjera të Dickut luftojnë për t’i bërë gjërat më elementare, madje edhe në shtëpitë e tyre. Në romanin “Ubik” të vitit 1969, një personazh përfundon duke debatuar me derën e banesës së tij, pasi nuk ka para të imta për të hyrë përmes mekanizmit me monedhë. Dera madje kërcënon se do ta padisë kur ai tenton ta thyej. Çdo aspekt i përvojës së jetuar bëhet mall në veprën e tij, një mënyrën mjaftë prekëse. Dick e sheh të ardhmen me pagesë, ku lehtësitë e shtëpive tona kërkojnë një ofertë simbolike – edhe nëse sot ajo ofertë është informacioni personal e jo paratë e imta.
Duke i lënë mënjanë aftësinë e Dickut për të paralajmëruar të ardhmen që ne tani e marrim si të mirëqenë, vizioni i tij më shqetësues ishte se bota në fund do të jetë simulim. Realiteti i tij ishte realitet i brishtë dhe kompleks. Në shumë nga librat e tij të mëvonshëm, ideja e realitetit si fasadë u rrit në temë dominuese. “Dicku pohoi se ekzistojmë në simulim”, thotë Peake. “Elon Musk kohët e fundit shkaktoi polemika duke u marrë, në mënyrë të suksesshme, me të njëjtën ide”.
Nëse vizionet e tij ishin, siç besonte ai, produkt i gabimeve në simulim apo në shëndetin e tij të rënduar mendor, një gjë është e sigurt: bota në të cilën çmohet vepra e Philip K Dickut është gjithnjë më afër asaj që paramendohej nga ky shkrimtar i veçantë dhe i jashtëzakonshëm. /Telegrafi/