Lista e gjatë e shkrimtarëve alkoolikë është e mirënjohur, por çfarë dimë rreth të tyre? Një vështrim mbi shkrimtaret e shquara që gjetën strehë në shishe dhe shpëtim në letra…
Nëse shkruan një libër rreth alkoolit dhe shkrimtarëve burra, siç kam bërë unë, e vetmja pyetje që do të të bëhet më shumë se çdo tjetër është: po gratë? A ka shkrimtare gra të alkoolizuara? A janë historitë e tyre të njëjta apo të ndryshme? Përgjigjja për pyetjen e parë është e thjeshtë. Po, patjetër që ka, mes tyre figura brilante dhe të trazuara, si: Jean Rhys, Jean Stafford, Marguerite Duras, Patricia Highsmith, Elizabeth Bishop, Jane Bowles, Anne Sexton, Carson McCullers, Dorothy Parker apo Shirley Jackson. Alkoolizmi është më dominues te burrat sesa te gratë (sipas një studimi të vitit 2013 kryer nga NHS, janë llogaritur se nëntë për qind e burrave dhe katër për qind e grave ishin të varur nga alkooli).
Megjithatë nuk është se ka mungesë të pijedashëseve gra; gratë shkrimtare nuk kanë qenë imune ndaj joshjes së një shisheje apo zhytjes në të tilla telashe – zënkat dhe arrestimet, arratitë turpëruese, helmimi i ngadaltë i miqësive dhe marrëdhënieve familjare – që kanë sunduar kolegët burra. Jean Rhys qe për pak kohë në burg për kanosje; Elizabeth Bishop më shumë se njëherë piu eau de cologne, pasi i mbaroi mundësitë e bufesë së pijeve. Por, a janë të ndryshme arsyet e të pirit të tyre? Dhe ç’mund të themi për reagimin e shoqërisë, veçanërisht në shekullin e lubrifikuar dhe të paqëndrueshëm XX; epoka e artë, nëse mund ta quajmë kështu, e alkoolit dhe shkrimtarit?
Në librin e saj të 1987-s, “Prakticitete”, romancierja dhe kineastja franceze, Marguerite Duras, thotë shumë gjëra tronditëse se ç’do të thotë të jesh një grua dhe një shkrimtare. Një prej deklaratave të saj më të mrekullueshme është rreth ndryshimit mes të pirit të burrave dhe të grave ose më saktë, diferenca qëndron në mënyrën sesi të dyja gjinitë perceptohen “kur një grua pi”, shkruan ajo. “Është si një kafshë të kishte pirë ose një fëmijë. Alkoolizmi është skandaloz te një grua dhe alkoolizmi femëror është rrallë një çështje serioze. Është një njollë në hyjnoren e natyrës sonë”. Me trishtim ajo shton një pasazh personal: “Kuptova skandalin që po krijoja rreth vetes”.
Ajo ka qenë e alkoolizuar, e kuptoi që në momentin e pijes së parë. Ndonjëherë mundohej ta linte për vite radhë, por gjatë periudhave të qejfit ajo dilte jashtë; e niste sapo zgjohej, bënte pushim për të vjellë dy gotat e para dhe pastaj lëmonte ndonja tetë litra Bordeaux përpara se të kalonte në trullosje. “Pija, sepse isha e alkoolizuar”, ka thënë ajo për “New York Times” më 1991. “Jam një shkrimtare prej vërteti, isha një pijanece e vërtetë. Pija verë të kuqe që të më zinte gjumi. Më pas, konjak gjatë natës. Çdo një orë nga një gotë verë dhe në mëngjes konjak pas kafesë dhe pas kësaj shkruaja. Është e mahnitshme kur shoh pas sesi ia dilja të shkruaja.”
Ajo çka është edhe më e mahnitshme ishte se sa shumë ia dilte të shkruante dhe sa fine ishte pjesa më e madhe e saj, shpërfillëse ndaj kushteve të produksionit. Duras shkroi me dhjetëra romane, mes tyre “Muri i detit” “Moderato Cantabile dhe “Magjepsja e Lol Stain”. Puna e saj është elegante, eksperimentale, plot pasion, magjepsëse dhe goditëse vizualisht, thuajse haluçinante në joshjen e saj të shqisave, në forcën ritmike. Paraprijëse e nouveau roman, ajo shpërndau mes bindjes e karakterit dhe subjektit, mobiliet e rënda të romanit realist dhe në të njëjtën kohë, duke ruajtur thuajse një rreptësi klasike, një qartësi stili që vinte prej riformulimit obsesiv.
Fëmijëria e Duras ishte e shënjuar nga frika, dhuna e turpi: një vargëzim mjaft i zakonshëm në jetën e hershme të një njeriu me varësi. U lind Marguerite Donnadieu (Duras është emri i penës më 1914-n në atë çka atëherë quhej Sajgon, nga prindër francezë, të dy mësues. I ati i vdiq kur ajo ishte 7 vjeçe, duke e lënë familjen në mjerim. Mamaja kurseu për vite për të blerë një fermë, por e mashtruan në çmim, duke blerë tokë që fundosej nga deti. Si mamaja ashtu edhe vëllai i madh e rrihnin Marguerite-n. Mbante mend sesi gjuante për zogj në xhungël për t’i gatuar e ngrënë e si notonte në lumin që mbushej me kufomat e gjithfarëlloj krijesave që ishin mbytur në rrjedhë. Në shkollë ajo pati marrëdhënie seksuale, me gjasa e inkurajuar nga familja për arsye financiare, me një burrë kinez shumë më të madh se ajo. Më vonë, në Francë, u martua dhe pati një fëmijë me dikë tjetër, bëri filma dhe jetoi e shkroi me një intensitet të devotshëm. Të pirit u keqësua, ndërsa dekadat kalonin, ndalej dhe niste, fitonte tërheqje, deri në moshën 68-vjeçare kur u diagnostikua me cirrozë dhe u detyrua ta linte, një përvojë tmerruese, në spitalin amerikan në Paris.
Jo shumë shkrimtarë ia dilnin të ishin esëll dhe ata që e bënin shpesh vuanin një rënie në produktivitet: testament jo edhe aq shumë ndaj fuqisë së alkoolit si një stimulues i krijimtarisë sesa për rolin e tij në shkatërrimin e funksionit të trurit, duke fshirë kujtesën dhe duke luajtur shkatërrimin me aftësinë për të formuluar dhe shprehur mendimet në ish të alkoolizuar. Por Duras ka shkruar një nga më të mirat dhe me siguri më të famshmit romanë, dy vjet pasi la pijen. “Dashnori” rrëfen historinë e një vajze franceze 15-vjeçare në Indokinë, e cila kishte një marrëdhënie me një burrë shumë më të moshuar kinez. Pjesa më e madhe e librit udhëhiqet nga dhuna dhe degradimi, nga i cili ia kishte dalë të mbijetonte Duras.
Ashtu si versionet e mëvona të botuara e bëjnë të qartë, ajo ishte e aftë të kthehej sërish e sërish në këtë skenë parësore të fëmijërisë, duke e riformuluar atë në një gamë të pafundme ngjyrash: ndonjëherë erotike dhe romantike, ndonjëherë brutale dhe groteske. Duke ritreguar të njëjtat histori; duke u kthyer pas në mënyrë të përsëritur në substancën që ajo e dinte se po e shkatërronte: ato veprime përsëritëse, disa gjeneruese dhe disa thellësisht shkatërruese, e bënë kritikun Edmund White të pyeste veten nëse Duras nuk ishte në rrokje të asaj çka Frojdi e quan shtrëngimi i përsëritjes. “Jam e njohur me të. Dëshira për t’u vrarë. E di që ekziston”, i tha njëherë një intervistuese dhe është intensiteti, ai vizion absolut dhe i pakompromis që e ndau veprën e saj veçmas. Në të njëjtën kohë, kjo deklaratë tregon si e ka përdorur alkoolin: si një mënyrë për t’iu dorëzuar mazokizmit të saj, ideizimit vetëvrasës, ndërsa në të njëjtën kohë duke i bërë anestezinë vetes nga ashpërsia që pa në punë kudo.
Makthet fëminore të Duras ngrenë pyetjen e origjinës se çfarë e shkakton varësinë ndaj alkoolit dhe nëse është e ndryshme për burrat dhe gratë. Alkoolizimi është 50 për qind i trashëguar, një çështje predispozite gjenetike, që është për t’u thënë se faktorët mjedisorë, si përvojat e hershme të jetës dhe trysnia e shoqërisë luajnë një rol të konsiderueshëm. Duke parë përmes biografive të shkrimtareve gra të alkoolizuara, gjen sërish e sërish të njëjtën histori familjeje të mjerë që është e pranishme edhe te kolegët burra, që prej Ernest Hemingeay te F. Scott Fitzgerald, Tennessee Williams e John Cheever.
Elizabeth Bishop është një shembull i mirë. Shumë anëtarë të familjes së saj ishin të alkoolizuar, përfshi të atin, i cili vdiq kur ajo ishte foshnjë. Jeta e saj karakterizohet nga humbjet dhe pasiguria shpesh e pranishme në historitë e familjeve të të varurve nga alkooli. Kur ishte pesë vjeçe, mamaja e saj u burgos. Ato nuk e panë kurrë njëra-tjetrën. Ajo u rrit mes tetove. Si një studente në Kolegjin Smith vetëm për gra, në Massachusetts, zbuloi me qejf përdorimin e alkoolit si një lubrifikues social, duke mos kuptuar derisa ishte vonë se ishte gjithashtu një burim i fuqishëm turpi, e izoluar në të drejtën e vet. Në poemën “Pijaneci”, Bishop përdor incidente nga jeta e saj për të krijuar një portret ironik të një të alkoolizuari, e gatshme për të shpjeguar etjen anormale. “Kam nisur të pi dhe pi e nuk ngopem”, narratori rrëfen, një varg që evokon deklaratën e qartë të “Këngës së ëndrrës” të John Berryman: “Uria ishte organike me të / verë, cigare, alkool, nevojë, nevojë, nevojë”.
Turpi ishte një nga udhëheqësit kryesorë në të pirë të Bishop-it; fillimisht turpi që mbante nga fëmijëria dhe më pas, turpi që ndoqi qejfet tmerruese. Dhe më vonë, ishte çështje e identitetit seksual. Lesbike në një periudhë ku homoseksualiteti nuk ishte i sanksionuar e as i pranuar, Bishop e gjeti lirinë në Brazil, ku jetoi me partneren e saj grua, arkitekten Lota de Macedo Soares. Ajo i kaloi vitet më të paqshme e më prodhimtare atje, megjithëse shoqëroheshin me dehjen, e ndiqeshin nga zënka të paevitueshme e konfuzione dhe përkeqësimin e shëndetit fizik.
Turpi ishte gjithashtu faktor në jetën e Patricia Highsmith, e lindur Mary Patricia Plangman më 1921, mbiemri i saj ishte një moment jo i mirëpritur i burrit që mamaja e saj e pat divorcuar nëntë ditë përpara se ajo të lindte. As ajo nuk ishte e mirëpritur. Mamaja kishte pirë terpentinë kur ishte katërmuajshe shtatzënë, me shpresë të abortonte foshnjën. “Është për të qeshur sesi ti e pëlqen aromën e terpentinës, Pat”, i pat thënë më vonë. Kjo shaka e pamëshirshme evokon Cheever-in, prindërit e të cilit gjithashtu e përdorin këtë për ta abortuar. Ashtu si Cheever, Highsmith pati ndjenja komplekse për të ëmën, dhe si Cheever pati një ndjesi depërtuese për të qenë hileqare, e zbrazët, disi e shtirur. Ndryshe nga Cheever, sidoqoftë ajo ishte e guximshme në përballjen me drejtimin e dëshirave të saj seksuale, megjithëse kishte ndonjëherë ndjesi devijimi kënaqësie apo turbullimi, duke i dalë shoqërisë kundër.
Mënyra sesi ndihej dhe sillej, shfaqej në veprën e saj, duke e kaluar rrjedhshëm në personazhin më të famshëm, Tom Ripley nuk është gjithnjë një pijanec i pandreqshëm, por ai ndan në alkoolizimin e lulëzuar paranojën e tij, fajin dhe urrejtjen ndaj vetes. Ai ndahet apo shket në identitete të tjera, më të rehatshme, që në vetvete është e turpshme dhe shpesh shërben si një shtysë për vrasjet e tij rastësore dhe të llahtarshme. Në fakt, e gjithë karriera e Ripley-t si një vrasës imiton alkoolizmin dhe drejtohet nga një nevojë për të përsëritur vazhdimisht një aktivitet në mënyrë që të vështrojë telashin që aktiviteti ka shkaktuar. Edhe aty është atmosfera e lirave, ndjesia përvijuese e ankthit dhe gjëmës, menjëherë e njohur në çdo vepër të alkoolizuari.
Duke e konsideruar këtë pasazh nga “I talentuari z. Ripley”, në të cilin Tom është në Romë, në përpjekje për të bindur veten se nuk do të kapet për vrasjen e Dickie-t.
Sesi ishin jetët për gratë në Perëndim për pjesën më të madhe të shekullit XX, është e përmbledhur me inat dhe aftësi nga Elizabeth Young në introduktën e saj në “Kënaqësi të plota”, përmbledhja me tregime e Jane Bowles. “Deri më 1970-n, gratë ishin të pallogaritshme dhe të përbuzura”, shkruan ajo. “Ishin në masë, të klasifikuara me fëmijët në terma të aftësisë, por ndryshe nga fëmijët, ishin poligoni për çdo barsoletë në repertorin e humoristëve. Konsideroheshin të rëndomta, thashethemexhesha, të kota, të ngadalta dhe të padobishme. Gratë e moshuara ishin cofëtina, agresive, vjehrra, lënesha. Gratë ishin të dukshme në botën reale, në botën e burrave, vetëm kur ato ishin të dëshirueshme seksualisht. Paskëtaj ato zhdukeshin krejt, varroseshin të gjalla nga kombinimi krupëngjallës i vetëkënaqësisë, neverisë dhe sentimentalizmave me të cilat vlerësoheshin”.
Nga mënyra e ilustrimit, ajo rrëfen historinë rreth shkrimtares, të cilën Truman Capote, William Burroughs dhe Gore Vidal e konsiderojnë mes më të mëdhave të epokës së saj; një gjigante e modernizmit, pavarësisht produktit të saj të vogël. Pasi pati një krizë të shkaktuar nga alkooli në moshën e mesme, Jane Bowles u dërgua te një neurolog britanik, i cili i tha: “Ti nuk po përballesh me këtë, e dashura znj. Bowles. Kthehu te tenxheret e tiganët dhe përpiqu të përballesh”.
Ky përçmim i thellë për gratë, kjo paaftësi për të kuptuar talentet dhe jetët e tyre të brendshme, ishte tipike. Skenarë të ngjashëm mund të gjenden në jetët e thuajse çdo shkrimtareje grua të shekullit XX.
Nuk mund të mendoj për ndonjë shkrimtare tjetër që e shpreh më mirë këto trysni dhe hipokrizi sesa romancierja Jean Rhys, e cila zor mund të përshkruhet si feministe e megjithatë shkroi aq hidhur dhe aq zhveshur rreth shumë grave saqë vepra e saj është shqetësuese edhe tani. Rhys lindi si Gwen Williams në ishullin Dominica më 1890-n, me një baba anglez dhe një mama kreole. Ashtu si edhe F. Scott Fitzgerald, ajo ishte një fëmijë zëvendësues, e ngjizur nëntë muaj pas vdekjes së të motrës. Ashtu si Fitzgerald kishte ndjesinë e përhershme të të qëndruarit jashtë ose të mos qenët e vërtetë apo e ligjshme. Ajo mbërriti në Londër në moshën 16-vjeçare, një vajzë simpatike dhe krejt injorante. Pritshmëritë e saj për një jetë luksoze u përplasën nga zymtësia gri, i ftohti i hidhur dhe njerëzit kompetentë e me raste të pashpirt. I ati i vdiq kur ishte në shkollën e dramës, por në vend të shkonte në shtëpi, iku duke u bërë një vajzë kori dhe e ndryshoi emrin në Ella Gray.
Ella Gray, Ella Lenglet, Jean Rhys, znj. Hamer: me çfarëdolloj emri që udhëtonte, ishte gati të zhytej, për të gjetur një burrë, i cili do e çonte drejt botës së sigurt e luksoze që ajo dëshironte. E pamësuar me dashurinë apo ndoshta ishte thjesht e pafat, zgjodhi burra që e lanë apo që në njëfarë mënyre ishin të pazot t’i siguronin atë lloj sigurie financiare apo emocionale që i nevojitej. Pati një abort, lindi një bebe që më pas i vdiq dhe një vajzë, Maryvonne, u martua për herë të dytë e të tretë dhe ishin këto fatkeqësi që e çuan në skajet e mjerimit. Alkooli u bë shpejt një rrugë përballjeje me këto telashe dhe hutim, duke fshirë elementet e errëta, duke mbushur përkohësisht një vrimë të zezë, të padurueshme, nevoje. Siç shkruan biografja e saj, Carole Angier, “e shkuara e përndiqte aq shumë sa i duhej të shkruante rreth saj: i duhej të pinte për të shkruar dhe duhet të pinte për të jetuar”. Por nga gjithë ajo rrëmujë dolën disa romane mrekullisht të kthjellëta; mrekulli të çuditshme dhe të rrëshqitshme modernizmi, rreth grave të tëhuajësuara dhe pa rrënjë, të paankoruara mes gjysmëbotës së Londrës e Parisit. Libra si “Kuartet”, “Pasi lashë z. Mackenzie”, “Udhëtim në errësirë”, “Mirëmëngjes”, “Mesnatë”, e shfaqin botën nga avantazhi i atij që nuk ka asgjë. Janë rreth vetmisë dhe depresionit, po, por flasin edhe rreth parave; para, klas dhe snobizëm, mënyra sesi pranohesh në shoqëri.
Në përshkrimin e saj për Rhys, Athill pyet se cila mund të jetë pyetja qendrore e një shkrimtari të alkoolizuar, që është sesi dikush i pazoti të përballet me telashet dhe të marrë përgjegjësinë mbi rrëmujën e vet, mund të jetë aq i mirë në të shkruar rreth kësaj. Kredoja e saj aq e lehtë për t’u deklaruar, aq e vështirë për t’u ndjekur, ishte se duhej të tregonte të vërtetën; t’i hidhte siç kishin ndodhur … përpjekja e saj e ashpër e aftësoi të shkruante sipas mënyrës së saj, përmes të kuptuarit të natyrës së saj të dëmtuar. Egërsia është kudo në veprën e Rhys-it, duke e kthyer mëshirën për veten në një kritikë të pamëshirshme.
Ajo tregon sesi funksionon pushteti dhe sesi të pamëshirshmit mund të jenë me njerëzit nën veten, duke zbuluar edhe sesi varfëria dhe muret sociale u lidhin duart grave, duke ia kufizuar mundësitë. Nuk është me çdo mjet një lloj triumfues i feminizmit, një siguri drejt pavarësisë dhe barazisë, por një rrëfim i ashpër i letrave të ngecura apo zareve që hidhen, që mund ta bëjnë edhe gruan më të shëndetshme të pijë e të pijë e të pijë… /Pergatiti: Suadela Balliu/Revista Saras/