Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme, forcat serbe kryen një nga masakrat më të tmerrshme gjatë luftës në Kosovë. Në këtë ditë u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh deri në 94-vjeç.
Nga 25 shtatori, familja Deliu ishte strehuar në mal, për t’iu shpëtuar sulmeve serbe. E një ditë më vonë, më 26 shtator, rreth orës 10:00, aty kishte depërtuar këmbësoria serbe, e ku ishin dëgjuar të shtëna armësh e britma njerëzish.
Në mesin e të vrarëve në këtë masakër nga forcat serbe është edhe Mihane Gashani Deliu, motra e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Blerim Gashani.
Më poshtë mund ta lexoni postimin prekës të zv.Gashani:
Motër,
26 vjet kanë kaluar nga 26 shtatori 1998, por furtunat nuk kanë pushuar këndej.
Nuk ka pushuar as dhembja gërryese për ty, motër, për Valmirin, për Ademin, për krejt familjen e dashur Deliu.
As sytë tanë nuk kanë pushuar të derdhin lot për ju.
Nuk kemi harruar e as nuk kemi falur.
Nuk mund të harrojmë, sepse dhembja nuk njihka vite e dekada.
Nuk mund të falim, motër, sepse nuk na lejon cuclla e përgjakur e Valmirit.
Nuk mund të harrojmë e as të falim sepse nuk na lejon ora që punonte ende në dorën e Jeton Deliut edhe kur shpirti i tij kishte fluturuar.
Nuk mund të harrojmë e as të falim se nuk na lejon shkrumbi në buzët e fëmijëve të familjes Deliu dhe 1129 fëmijëve të vrarë brutalisht nga serbët.
Motër, neve na u kanë shtuar thinjat në flokë e rrudhat në fytyrë, por kujtimi për ju është i freskët.
Nuk ju harrojmë!
Kurrë!
P.S. Më 26 shtator 1998, serbët vranë brutalisht 23 anëtarë të familjes së gjerë Deliu. Motra jonë e madhe, Mihane Gashani Deliu (1970), u vra aty bashkë me bashkëshortin e saj dhe djalin e tyre të vetëm, Valmirin, 2 vjeç.
Video më poshtë është fjala ime në promovimin e librit ‘Vjeshtë e ngrime’ (2017), që e kemi shkruar bashkë me motrën time, poeteshën Naxhije A Gashani dhe që ia kemi kushtuar motrës sonë, familjes Deliu dhe gjithë familjeve që kanë humbur njerëz të dashur gjatë luftës së fundit. /Telegrafi/