Është rritur në tre numri i personave të prekur me coronavirus në Kosovë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, konfirmoi se bëhet fjalë për një të afërm të 77-vjeçarit nga Vitia, transmeton Telegrafi.
“Kemi një rast pozitiv, bëhet fjalë për një të afërm të pacientit nga Stublla e Vitisë, që u diagnostifikua dje me coronavirus. Të dashur qytetarë, ju lutem që të zbatoni me përpikëri të gjitha rekomandimet që dalin nga institucionet tona për të mbrojtur shëndetin tuaj”, deklaroi ministri para mediave.
Dy pacientët e konfirmuar të premten, janë një 77 vjeç dhe një 20 vjeçe, ndërsa i treti është 39 vjeç.
Naser Ramadani, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, tha se gjendja e tyre është stabile.
Ndryshe, dje janë konfirmuar rastet e para me coronavirus në Kosovë, një 77 vjeçar nga Vitia dhe një 20 vjeçare shtetase e Italisë por që ishte me qëndrim në Klinë. Pas konfirmimit të këtyre dy rasteve, komuna e Klinës dhe Vitisë janë në karantinë.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka marrë disa masa në mënyrë që të parandalohet përhapja e coronavirusit, Qeveria ka vendosur të mbyllen të gjithë kufijtë, lokalet e qendrat tregtare./Telegrafi/