Numri i të vdekurve nga virusi coronavirus në Kinë ka arritur në 259, kanë bërë të ditur autoritetet shëndetësore të shtunën, pasi Shtetet e Bashkuara morën masa për kufizimin e lëvizjes së personave të huaj që kanë qenë më herët në Kinë.
Provinca Hubei, e cila është epiqendra e epidemisë së rrezikshme, po vazhdon të mbahet në karantinë. Rrugët janë të mbyllura dhe transporti publik është ndërprerë.
Nga frika se virusi mund të përhapet më tej jashtë shtetit, Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë marrë masa për të kufizuar hyrjen e shtetasve të huaj që kanë qenë kohët e fundit në Kinë. Të tre linjat ajrore kryesore të SHBA-ve, gjithashtu thanë të premten se do të anulonin fluturimet drejt Kinës, shkruan Reuters, transmeton Telegrafi.
Gauden Galea, përfaqësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kinë, tha se masat për kufizimin e udhëtimeve nuk kanë qenë të nevojshme.
“Ne do të donim që vendet të përqendroheshin në përpjekjet lehtësuese për të identifikuar rastet e mundshme dhe t’i kundërpërgjigjeshin ndonjë përhapje të mundshme brenda territoreve të tyre,” i tha Galea Reuters. /Telegrafi/