Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, ka njoftuar se është rritur në 20 numri i personave të prekur me coronavirus në vendin tonë.
IKSHPK, njofton se personi i 20-të i prekur me COVID-19 është nga fshati Bradash i Podujevës, transmeton Telegrafi.
“Nga data 08.02.2020 deri me 18.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 308 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe gjithsej njëzet raste prej tyre kanë rezultuar pozitive.
Sot me 18.03.2020 është konfirmuar një rast pozitiv për virusin SARS-CoV-2: Rasti i konfirmuar është rast kontakti nga fshati Bradash-Podujevë, e gjinisë femër 55 vjeç”, thuhet në njoftim.
IKSHPK, kërkon nga qytetarët të mbajnë distancë nga njëri-tjetri, si dhe të reduktojnë daljet veç në raste emergjente. /Telegrafi/