Telegrafi

Shkon huq konkursi

Express shkruan se Kryetari i Bordit të KEK`ut, Skënder Krasniqi, ka bërë të ditur se deri më tash nuk ka ndonjë kandidat potencial për drejtor të kësaj kompanie dhe sipas tij pasi ekziston kjo gjendje e tillë, ka mundësi që drejtori të emërohet edhe jashtë listës së 32 konkurrentëve.

“Mundësia e zgjedhjes së dikujt jashtë listës së konkurrentëve është e mundshme dhe kjo lejohet me ligj”.

Krasniqi ka sqaruar se procedurat për zgjedhjen e drejtorit të KEK`ut, janë duke vazhduar, por Bordi ende nuk ka marrë ndonjë vendim. Sipas tij gjatë kësaj jave Bordi do të mbajë një mbledhje ku ndër tjera do të bisedohet edhe për këtë çështje.

“Nuk mund të themi se në këtë takim mund të vendosim për emërimin e drejtorit, por do të bisedojmë për këtë punë dhe nuk premtojmë që do të emërohet drejtori i korporatës”.

Edhe drejtuesit e Ministrisë së Energjisë dhe Minierave thonë se kjo punë do të shkojë sipas ligjit të ri të ndërmarrjeve publike.

“Rekomandimi im është që drejtori apo kryeshefi ekzekutiv të shpallet sipas ligjit të ri të ndërmarrjeve publike”, tha zëvendësministri Blerim Rexha.

Ai tregoi se MEM ka kontaktuar Bordin e KEK`ut, por ata nuk i kanë njoftuar ende për ndonjë të re lidhur me këtë emërim.

Në anën tjetër, zyra e kryeministrit ka deklaruar se këtë çështje ia ka lënë në dorë Bordit të KEK`ut. Të paktën kështu ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Me ligjin e vjetër të ndërmarrjeve publike, Bordi i KEK`ut ka kohë deri në gjashtë muaj pas shpalljes së konkursit për zgjedhjen e drejtorit. Kjo korporatë vazhdon të jetë pa drejtor. Ushtrues detyre i kësaj pozite është Arben Gjuka, i cili gjithashtu është ndër kandidatët që po konkurrojnë për drejtor.