Site icon Telegrafi

I shkon gruaja e dehur në shtëpi, bashkëshorti e qëllon me thikë

Festa me shoqet i ka kushtuar shtrenjtë një 53- vjeçareje nga Fushë-Kruja. Bashkëshorti i saj për pak sa nuk i mori jetën pasi ajo ishte kthyer në shtëpi në gjendje të dehur. Sipas Policisë, Ramazan Rama, 56 vjeç, banues në Fushë-Krujë është arrestuar pasi ka goditur gruan e tij me thikë, shtetasen Q. Rama.

Bashkëshorti i saj nuk e ka pranuar dot faktin që gruaja ishte kthyer në shtëpi vonë dhe në gjendje të dehur dhe ka nisur t’i kërkonte asaj llogari.
Kjo e fundit, në mënyrë të pavetëdijshme nga pija i është përgjigjur të shoqit se “nuk të jap llogari ty, më lër rehat”.

Kaq ka mjaftuar që 56-vjeçari të rrëmbente thikën e bukës dhe t’ia ngulte bashkëshortes së tij, duke e lënë të plagosur rëndë. Fatmirësisht, në këtë moment kanë ndërhyrë familjarët e tjerë, të cilët kanë larguar bashkëshortin dhe kanë transportuar 53-vjeçaren drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas të dhënave, gruaja kishte dalë me disa mikesha të saj.

“Më datë 7 mars, ora 00:20, Ramazan Rama, 56 vjeç, për motive të dobëta ka goditur me mjet thikë bashkëshorten e tij, shtetasen Q.R., 53 vjeçe. E dëmtuara ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë nën kujdesin e mjekëve”, sqaroi Policia.

Pas arrestimit, Ramazan Rama ka deklaruar për policinë se krimin e ka kryer në gjaknxehtësi e sipër, pasi ishte fyer nga sjellja e bashkëshortes së tij.

“Gruaja erdhi në gjendje të dehur në shtëpi si asnjëherë më parë. Kjo gjë më shqetësoi jashtë mase, por situata u tensionua edhe më tepër kur e pyeta pse kishte ardhur në këtë gjendje në shtëpi. Ajo refuzoi të më jepte llogari. Nuk doja që situata të arrinte deri në këtë pikë, por e qëllova në gjaknxehtësi e sipër”, mësohet të ketë deklaruar në polici Ramazan Rama. /Panorama/Telegrafi/

Exit mobile version