Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme për reformimin arsimit të mesëm profesional, respektivisht orientimit drejt nevojave dhe kërkesave të tregut të punës, prapëseprapë mungojnë rezultatet e duhura, shkruan gazeta KOHA. Pjesa dërmuese e këtij niveli në Maqedoni përfaqësohet nga numër i limituar drejtimesh mjekësore dhe ekonomike. Kjo konfirmohet dhe zyrtarisht nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Strategjia Gjithëpërfshirëse e Arsimit (2017-2012) vëren se “pavarësisht përpjekjeve për përmirësimi e situatës, arsimi i mesëm profesional sfidohet edhe më tej nga shumë probleme”.
Arsimi profesional, sikurse thuhet në këtë dokument, nuk tërheq numër të mjaftueshëm nxënësish, përveç disa drejtimeve të fushave të shëndetësisë, ekonomisë dhe drejtësisë. Në pikat e dobëta të arsimit profesional vërehen gjithashtu mungesa e sistemit bashkëkohor të shkollimit, kapaciteteve të Arsimit Profesional dhe Trajnimit (APT) dhe inkluziviteti.
Niveli më i ultë i përfshirjes së nxënësve në arsimin e mesëm, është në drejtimet tre vjeçare. Në vitin shkollor 2014/2015, vetëm 6.3 për qind e nxënësve që ishin regjistruar në shkollat profesionale, ishin në profilet me kohëzgjatje tre vjeçare, ose 3.8 për qind e numrit të përgjithshëm të nxënësve në arsimin e mesëm. Konkretisht, në komplet arsimin e mesëm profesional ishin të përfshirë 49 484 nxënës (rreth 60 për qind e numrit të përgjithshme), prej të cilëve vetëm 3186 në arsimin e mesëm trevjeçar.
Strategjia në fjalë, në mënyrë të qartë nënvizon se “vërehen mos përputhshmëri mes ofertës së kualifikimeve nga sistemi i APT-së me kërkesën e tregut dhe fuqinë e punës, ndërsa sistemi i vendosjes së kualifikimeve të APT-së është joefikas dhe joefiçent, njëlloj sikurse bashkëpunimi mes sektorit të biznesit për trajnim konkret dhe punën praktike të nxënësve në ambientet e punës”. Jo më pak të rënda, sa i përket shkaqeve për situatën e pa lakmueshme të arsimit të mesëm profesional, janë dështimet me kuadrin mësimdhënës, e të cilët kritikohen për “demotivimin e nxënësve në zgjedhjen e këtij lloj shkollimi.