Site icon Telegrafi

Shkollat në Maqedoni kanë nisur kursimin e energjisë elektrike

Kompjuterë të fikur, kondicioner që nuk punojnë e korridore thuajse të errësuara. Në këtë mënyrë shkollat kanë nisur të kursejnë energjinë elektrike pas rekomandimeve tashmë të miratuara nga Qeveria. Nga gjimnazi “Zef Lush Marku” thanë për Alsat se hapësirat e shkollës vazhdimisht po mbikëqyren nga punonjës të posaçëm të cilët kontrollojnë çdo pajisje që ka të bëj me energjinë elektrike.

“Drejtori i shkollës ka angazhuar dy punëtor të shkollës të cilët janë mbikëqyrës, e kontrollojnë dhe e vëzhgojnë shkollën tërë kohës për të parë nëse llambat janë të fikura apo të ndezura, kondicionerët assesi të punojnë. Po ashtu edhe kompjuterët kontrollohen, në fund të ditës mbyllen dhe nuk janë në përdorim. Përmes kujdestarëve të klasave janë të informuar edhe nxënësit e shkollës që mos të kyçin dritat ose llambat”, tha Ajshe Beqiri, Gjimnazi “Zef Lush Marku”.

Visar Durak, drejtor i shkollës profesionale “Cvetan Dimov” pranon se ky dimër do të jetë i vështirë. Për të zbutur shpenzimet e energjisë, drejtori tha se janë zëvendësuar të gjitha dritat e zakonshme me ato LED.

“Kondicionerët, në klasat ku nuk kemi nevojë për ftohje në këtë rast i kemi ndal, njeëtë edhe kompjuterët. Për shkak se më tepër kompjuter përdoren në lëndën e informatikës jemi mundu me profesorët e informatikës ti përdorin sa më optimal. Kemi bë organizim rreth ndriçimit, duhet të kemi parasysh se ndriçimi në mbrëmje mund të na duhet për shkak të kamerave se aty ku s’kemi drita kamerat nuk mund të punojnë. Sa I përket shkollës tonë çdo vit kemi bë ndryshime, sidomos në ndriçimin ku në shumicën e klasave dhe korridoreve janë dritat LED”, shtoi Visar Durak, shkolla profesionale “Cvetan Dimov”.

Nga 1 shtatori kanë hyrë në fuqi masat e detyrueshme për kursimin e energjisë elektrike në institucionet shtetërore. Parashikohen sanksione për drejtuesit nëse nuk respektohen masat, gjegjësisht nëse një institucion nuk kursen 15 për qind të energjisë elektrike në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar./Alsat/

Exit mobile version